TIRANE- A mund të rrezikohet një shtet diktatorial nga anekdotat dhe barsoletat? Madje deri në atë masë sa të kthehet në paranojë...të hartohen letra me shënimin "Sekret" për Komitetin Qëndror të PPSH e me këtë çështje të merret më pas vetë Ramiz Alia, duke hartuar një urdhër e duke e shpërndarë në Komitetet e Partisë në gjithë rajonet e Shqipërisë e shumë struktura të tjera shtetërore.
Mund të duket ndërmarrje donkishoteske sot. Por për një regjim që e kishte bazën tek edukimi ideologjik, një çështje e tillë merrte rëndësi të veçantë. Ja ngjarja, që për disa lexues mund të jetë edhe thjeshtë argëtuese...
Me 6 prill 1973, nga Peshkopia, Sekretari i Komitetit të Partisë së Rrethit Sami Gega shkruan letrën e tij me shënimin sekret, ku informon Komitetin Qëndror të PPSH për fenomenin e përhapjes së një varg barsoletash e anekdotash që dëmtonin sipas tij "formimin e opinionit të shëndoshë revolucionar".
Sipas tij "të tilla anekdota e barsoleta nën perden e humorit "qesh e ngjesh" drejtohen dhe kanë për objekt shumë aspekte të jetës sonë...si: për të inkurajuar ndasinë krahinore, për të metat në tregun tonë, për qarkullimin apo dërgimin e kuadrove si dublant, për kulturën, policinë etj...".
Hartuesi i këtij dokumenti rendit një varg barsoletash e anekdotash, duke i sjellë si shembull e duke i shoqëruar me komentin e tij, ku nënvizon pasojat që mund të shoqërojë përhapja e tyre në popull.
Pas kësaj letre, me 30 prill 1973 nga Komiteti Qëndror i PPSH del një urdhëresë, me emrin e Ramiz Alisë për gjithë Komitetet e Partisë në rrethe mbi kritikën e anekdotave me përmbajtje të gabuar. Në këtë shkresë të dytë, thuhet se krahas anekdotave me përmbajtje të shëndoshë, në disa raste qarkullojnë dhe të atilla që kanë përmbajtje të gabuar ideologjike dhe politike dhe ndaj tyre tregohet "një mendjelehtësi e madhe e si rrjedhim mbahet një qëndrim tolerant i palejueshëm". Sipas këtij urdhëri të komitetit qëndror këto anekdota e barsoleta duhet të ndalohen e të pengohet përhapja e tyre. Se deri në ç'pikë shkon paranoja, këtë e tregon fraza e mëposhtme shkëputur nga ky urdhër: "...për krijimin dhe përhapjen e tyre janë të interesuar veçanërisht armiqtë tanë të cilët u fryjnë këtyre anekdotave në forma e mënyra të ndryshme".
Për lexuesit tanë, po sjellim dy dokumentet e plota, letrën e sekretarit të Komitetit të Partisë Peshkopi dhe urdhëresën që del nga Komiteti Qëndror për ndalimin e këtyre anekdotave me përmbajtje armiqësore. Dokumentet ruhen në fondin 14 në AQSH.
Dokumenti 1
"Sekrete"
PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË
KOMITETI I PARTISË SË RRETHIT
D I B Ë R
Nr. 218 Prot.
Peshkopi, më 6.4.1973
KOMITETIT QENDROR TË PPSH
(Shokut Gafurr çuçi)
T i r a n ë
Ka kohë që qarkullojnë anekdota e barsoleta, të cilat na duket se dëmtojnë formimin e opinionit të shëndoshë revolucionar. Në pamjen e parë ato të japin përshtypjen se bëhen për humor, për të kritikuar të metat. Sukseset t...