VLORË- Zbulohen dhe asgjesohen në periferi të Vlorës dy parcela të mbjella me bimë narkotike kanabis sativa. Sipas policisë, bëhet fjalë për një sipërfaqe të mbjellë me 500 rrënjë kanabis në vendin e quajtur "Lera e Zezë" në fshatin Akerni të komunës Novoselë në Vlorë. Ky është rasti i parë i kultivimit të kanibisit i zbuluar nga policia për këtë vit.
Zona ku janë mbjellë rrënjët e kanabisit është rreth 10 kilometra larg Novoselës. Për të përftuar parcelën dhe fshehtësinë e saj, autorët kanë prerë pemët dhe pastruar shkurret e pyllit një sipërfaqe rreth 100 metra katrorë, dhe kishin punuar dhe plehëruar tokën.
Në të njëjtën parcelë është gjetur edhe serë e mbuluar me plastmasë ku ishin kultivuar kubikët e kanabisit për të përftuar fidanët për mbjellje nga farërat.
Sipas policisë, autorët kanë patur muaj të tërë përgatitjeje, janë kujdesur për të nxjerrë fidanët,i kanë vaditur dhe i kanë ruajtur dhe kultivuar ato.
Kamera e "A1Report" ka shkuar në vendin ku ishte parcela për mbjelljen e kanabisit, dhe ka parë nga afër me sa kujdes ishte zgjedhur vendi për të mos rënë në sy. Pasi kalon një rrugë të dendur me pyje duhet rreth treçerek ore rrugë në këmbë për të mbërritur në parcelë.
Në pamje duket edhe një pus i hapur prej autorëve për të siguruar ujin e domosdoshëm për kultivimin e kanabisit edhe për periudhën e nxehtë të verës. Policia ka sekuestruar fidanët e kanabisit, ndërsa ka shkulur bimët e mbjella. Hetimet janë fokusuar në identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit, të cilët janë larguar nga vendi sapo kanë kuptuar se ishin pikasur nga policia.
Aksioni është kryer nga "Delta Forcë" në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Guardia Di Financa dhe Policinë e Shtetit.