Tetë urdhër-arreste janë lëshuar deri më tani për vrasjen e Ilia (Ilir) Karelit, 42 vjeç, që në Shqipëri njihet me emrin Kudret Kume, në burgun e Nigridas. Nën hetim janë edhe 6 punonjës të burgut të Nigridas dhe Malandrinos, roli i të cilëve do të verifikohet gjatë hetimit.
Prokurori Nick Antonarakos i qytetit Amfisas, që ka juridiksion mbi burgun Malandrinos, ku dhe ka nisur dhunimi i 42-vjeçarit Kareli, deri më tani ka kërkuar që 8 gardianë të burgut të Nigridas të vihen në pranga pasi janë përgjegjës për dhunimin deri në vdekje të shqiptarit.
Por pritet që fletë-arreste të lëshohen edhe për disa gardianë të burgut të Malandrinos, pasi sipas hetimeve aty ka nisur edhe dhunimi i shqiptarit të dënuar, i cili vrau një gardian burgu.
Në këtë burg mësohet se, Karelit i është shkaktuar edhe dëmtimi i kraharorit, që i ka sjellë edhe hemoragji të brendshme duke i sjellë vdekjen. Siç shkruan media greke, në këtë burg Kareli në datën 25 mars 2014 është rrahur nga të paktën 10 gardianë.
Prokuroria ka ngritur edhe akuzat ndaj personave që janë përfshirë në këtë ngjarje të rëndë. Bëhet e ditur se, janë tre akuza që janë ngritur si: "Torturë me pasojë vdekjen", "lëndime të rënda trupore" dhe "Torturë e lehtë".
Në dosjen e prokurorisë, thuhet se, gjatë kohës që Kareli ka qenë në burgun e Nigridas, koha prej 2 orë e gjysëm është e pambuluar dhe nuk ka asnjë pamje filmike apo dëshmi të dhënë. Sipas kamerave, në orën 16:00 gardianët e burgut e kanë nxjerrë Karelin nga qelia dhe më pas e kanë kthyer në orën 18:30 minuta të mbrëmjes së datës 27 mars 2014.