TIRANE- Kryeministri Edi Rama në një fjalim në organizatën gjermane për politikën e jashtme, nga më të njohurat në Gjermani ka prezantuar të gjithë argumetet e përdorur për të bindur qeverinë gjermane se Shqipëria e meriton statusin. A1 Report e Shqiptarja.com zbardhin të gjithë arsenalin e argumenteve që Rama ka përdorur në takimin me Merkel për të marrë mbështetjen gjermane në këtë kthesë të rëndësishme në favor të Shqipërisë, i thënë jashtë kamerave.
"Europa duhet t'i jetë mirënjohëse Gjermanisë. Falenderoj e i jam mirënjohës kancelares Angela Merkel për pritjen e mbështetjen. Unë përfaqësoj të majtën, si kryetari i partisë më të madhe të majtë. Merkel të djathtën, pra dhe pse kemi pikëpamje të ndryshme sa i përket ideologjisë politike, kemi qëndrime që na bashkojnë, si rritja e mirëqënies së qytetarëve tanë apo përmirësimi i jetës së qytetarëve tanë në vendet tona e në Europë. Kam ardhur në Gjermani për ta prishur imazhin e keq që Shqipëria ka në BE. S'kam ardhur vetëm t'ju kërkoj ndihmë, por edhe për t'ju thënë se pse Shqipëria i duhet BE.
Edhe ju keni mësuar nga gabimet e të shkuarës, por se keni harruar atë. Unë dua të ndryshoj imazhin e keq të së shkuarës së vendit tim. Mënyra e vetme për të ndryshuar imazhin, është të ndryshojmë realitetin në jetën tonë të përditshme, që besoj se mund të bëjmë më shumë dhe më mirë. Jemi të zhgënjyer që se morëm statusin kandidat në dhjetor. Por unë e kuptoj pse BE donte më shumë angazhim nga qeveria", është shprehur Rama. Ai ka nënvizuar se ekzistojnë shumë probleme, por është tha i bindur se Shqipëria ka vullnet për të ndryshuar realitetin e për të ndryshuar dhe rritur mirëqënien e qytetarëve.
"Vetëm kur të kemi një rajon të integruar në BE, do kemi një rajon shumë më paqësor dhe e shkuara do ketë mbetur pas. Kemi ndërmarrë disa reforma të rëndësishme në sistemin e taksave. Kjo e lidhur me modernizimin e administratës fiskale. Modernizimi i policisë është një tjetër objektiv kundër krimit të organizuar. Reformat e ndërmarra deri tani kanë dhënë efekte të dukshme në luftën kundër krimit të organizuar, që siç e tha edhe kancelarja Angela Merkel është shumë e rëndësishme. Kemi marrë shumë masa, që të plotesojmë 5 kriteret e vendosura nga BE, dhe veçanërisht në sistemin gjyqësor. Po ndërmarrim hapa për bashkëpunimin rajonal në sektorin e energjisë apo turizmit.
Duhet të bëjmë më shumë në rritjen e performancës së administratës, për të forcuar shtetin e të drejtës. Kur përmendet Shqipëria, në disa vende europiane mendja të shkon te krimi organizuar, trafiku drogës e prostitucioni. Por edhe ju i keni keto fenomene, ndërsa ne kemi namin. Unë e di se kemi shumë për të bërë. Por jam i qartë, që mund ta arrijmë objektivin që kemi përpara. Ne duam mbështetjen dhe miqësinë tuaj. Ku kërkojmë që të jeni gjithmonë miqtë tanë", tha Rama në në takim, që vjen i zbardhur nga gazeta jonë. Teksa ka vijuar dhënien e argumenteve të cilat kanë bindur qeverinë gjermane të japë mbështetjen për statusin e Shqipërisë në BE.