Pas akuzave të një dite më parë që PDSH-ja opozitare i bëri ish ministrit të mbrojtjes Fatmir Besimi, nga partia e Ahmetit thanë se tentimi për të degraduar dhe poshtëruar Ministrat shqiptarë të Mbrojtjes nga ana e PDSH-së nuk është asgjë tjetër përveç një fushatë sulmesh dhe përgatitje e alibisë së partive maqedonase që në të ardhmen mos të pajtohen me drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes nga një kuadër shqiptar. Hisen Xhemaili nga BDI hedh dyshime se PDSH është bërë pjesë e një skenari me qëllim pengimin e përcaktimit të BDI-së për të udhëhequr me njërin nga dikasteret kryesore në shtet.
"A i pengon Partisë së Thaçit fakti se sot nga gjithsej 1500 shqiptarë në Armatën e Maqedonisë, 1400 janë punësuar në kohën e BDI-së. A po ndoshta Menduh Thaçit i pengon që në poligonin ushtarak Krivollak stërviten Pjesëtarët e Forcave Armatosura të Kosovës, nderohet zyrtarisht Ministri i Parë i Mbrojtjes së Shqipërisë, Mehmet Pashë Derralla, në kohën e BDI-së. Ministria e mbrojtjes për herë të parë ndanë dhurata për Vitin e Ri fëmijëve të dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës, në kohën e BDI-së; Kazermat në Shkup , Kumanovë , Dibër dhe Kërçovë , shndërrohen në universitete shqiptare", deklaroi Hisen Xhemaili, BDI.
Një ditë më parë PDSH-ja akuzoi ish Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Besimi se në periudhën kur ai drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes ka lidhur një kontratë pa tender në vlerë prej 900 mijë euro për furnizimin e Ministrisë me mazut. Nga PDSH gjithashtu thanë se të gjitha dokumentet e prezantuara nëpër konferenca për shtyp, ku akuzojnë funksionarët e BDI-së, do të dorëzohen edhe në institucionet përkatëse dhe do të iniciojnë procedura përkatëse. Valmir Kuçi