BUDAPEST - Kryeministri hungarez Viktor Orban ka deklaruar fitoren në zgjedhjet parlamentare të së dielës, duke fituar mandatin e dytë rradhazi. Partia konservatore e Orban, Fidesz, ka arritur të marrë 45% të votave, duke arritur të zërë 135 nga 199 vendet në parlament.
"Kemi arritur një fitore të padiskutueshme" iu drejtua Orban mbështetësve të mbledhur në qendër të Budapestit, mbrëmjen e së dielës.
Ai tha se rezultatet e zgjedhjeve treguan se hungarezët zgjodhën të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, por me një shtet të fortë.
Pas tij u rendit opozita e qendrës së majtë me 25% të votave, ndërsa partia e ekstremit të djathtë Jobbik ka marrë 21% të votave. E majta hungareze nuk po arrin ta marrë veten nga humbja e rëndë në vitin 2010, ku Orban erdhi në pushtet me një shumicë prej dy të tretave.
Orban, 50 vjeç, është përplasur shpesh herë me Bashkimin Evropian dhe investitorët e huaj mbi politikat e tij jo-ortodokse dhe euroskeptike.