TIRANE - Komisioni i Ligjeve votoi unanimisht për amendimin e Kodit Penal duke ashpërsuar masat ndaj personave që luftojnë jashtë vendit. Ndryshimet parashikojnë 10 deri në 15 vjet me burgim personat që nxisin rekrutojnë apo janë pjesëmarrës në luftën në vendet e huaja apo të njohur si muxhahedinët.
Projektligji u ngrit nga një numër deputetësh të Partisë Socialiste dhe pikërisht kjo ka shërbyer si shkak për debat mes pozitës dhe opozitës. Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, gjatë diskutimeve ka ngritur pyetjet se pse këtë projektligj e sjellin deputetët dhe jo qeveria me ministritë përkatëse.
Shqetësimit të tij i është përgjigjur kryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj i cili u shpreh se "projektligji është konsultuar me qeverinë dhe me ministritë përkatëse, si dhe me entet ndërkombëtare".
Për projektligjin deputetët janë konsultuar dhe me asistentët juridikë të SHBA-ve të njohur si OPDAT, si dhe me ministritë në vend.
Në komisionin, ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi tha se "opozita shprehet pro amendimeve, dhe pranon sugjerimet nga OPDAT dhe Prokuroria lidhur me këto ndryshime".
Përpos debateve, seanca është mbyllur me konsensus duke votuar pro amendimeve, duke ofruar mbështetje për të forcuar politikën penale në vendin tonë. Gjykimi i këtyre veprave do t'i kalojë Gjykatës së Krimeve të rënda.
Amendimi i Kodit Penal vjen për shkak të fenomenit të zbuluar kohët e fundit, atë të muxhahedinëve shqiptarë të cilët rekrutoheshin për të luftuar në Siri përkrah terroristëve të xhihadit. Amendimi parashikon që për nxitjen, trajnimin, rekrutimin apo luftimin në vende të huaja dënimi të jetë 10 deri në 15 vjet.