TIRANE -- Kushdo që ka ide të qarta për krijimin e një imazhi të ri të Shqipërisë turistike, kompani apo individë, mund t'i shfaqë ato duke u bërë pjesë e Konkursit Ndërkombëtar për logon, sloganin dhe strategjinë e re për të promovuar Shqipërinë.
Tre ministritë, ajo e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si dhe ajo e Punëve të Jashtme kanë ndërmarrë nismën për të promovuar identitetin e Shqipërisë në tregun botëror.
Ministrja e Turzimit, Eglantina Gjermani, e cila njoftoi çeljen e konkursit tha se ky është një projekt për të ndryshuar rrënjësisht imazhin e vendit dhe për të evidentuar traditën e mikpritjes, kulturën e pasur dhe trashëgimin e jashtëzakonshme historike.
"Kjo nismë lindi si një nevojë për tiu përshtatur realitetit, për të rritur numrin e turistëve, por edhe investimet e huaja në vend. Synojmë të lançojmë një imazh të ri të Shqipërisë, një port hyrëse për investimet e huaja në Rajonin e Ballkanit, një Shqipëri simbol paqeje në rajon", -tha ministrja Gjermeni.
SI MUND TE BEHENI PJESE E KONKURSIT
Ministrja Gjermeni tha se çdo kompani, indivdië, vendas ose i huaj mund të klikojë në "Nextgenerationalbania.info", aty ku shpjegohen hapat e procesit.
Konkursi do të zhvillohet në faza: Në fazën e parë do të paraqiten konceptet dhe draft projtet deri në fund të muajit prill.
Juria do të përzgjedhë 5 propozimet më të mira, ndërsa në fazën e dytë, të përzgjedhurit do të shfaqin propozimet dhe paketat e plota deri më 16 maj, aty ku do të përzgjidhet fituesi final.