Eshtë drama e tyre, e përditshmja dhe rutina e përhershme, të cilën duan ta ndryshojnë. Eleminimi e dukurive negative kërkon mbështetjen e të gjithëve, dhe këtë kërkojnë komuniteti rom dhe egjiptian në Lezhë. E gjithë kjo nevojë është prezantuar në një dramë si vetë jeta e tyre, që vjen si një këmbanë ndërgjegjësuese nga përfaqësuesit e këtij komuniteti.
Në gjetjen e dramës më origjinale me realitetin, "braktisja" është shfaqja e cila është vënë në skenë dhe ka sjellë një tjetër anë të këtij komuniteti, atë prezantimit të elementëve pozitiv siç janë artistët, e ndërsa synojnë të përcjellin mesazhe të qarta, përfshirje dhe barazi mes të gjithëve.
Ndodh rallë në aktivitete të këtij lloji, por drama e regjisorit Rauf Selimi ka mbushur sallën e Pallatit të Kulturës në Lezhë, e ndërsa është vlersuar dhe përshëndetur edhe nga institucionet vendore. Ajo është konsideruar si një pikënisje për të reflektuar mbi nevojën e këtij komuniteti për të qenë të përfaqësuar, por ndërkohë duke sensibilizuar të gjithë të pranishmit për shmangie të elementëve që nuk japin asnjë të ardhme për romët dhe egjiptianët.
Braktisja e një fëmije nga prindërit, ka përkufizuar braktisjen që komuniteti me ngjyrë ndjen të kryhet ndaj tij, duke përbërë një mesazh të fortë social dhe tërheqje vëmendjeje për institucionet.