Alsat M zbulon adresat fiktive të Pustecasve

alsatmtv 2015-08-22

Views 7

Gjithnjë e më shumë dalin në pah qytetarë të Pustecit të pajisur me nënshtetësi dhe letërnjoftime maqedonase, duke u regjistruar në adresa fiktive në Qendër të Shkupit. Televizioni Alsat M siguroi dokumente që dëshmojnë se qytetarja e Pustecit, me emrin D. Temellko, gjatë denoncimit të një vjedhjeje, si vendbanim të sajin ka paraqitur Shtëpinë e Studentëve Medicinar. Por adresa zyrtare e vendbanimit, që ka qenë kusht për pajisjen e saj me letërnjoftim të Maqedonisë, është në rrugën "Aminta i Treti", në Qendër të Shkupit. Ekipi i televizionit Alsat inspektoi sot adresën ku është regjistruar banorja me prejardhje nga Pusteci. Ashtu siç pritej, gjetëm një banesë të zbrazët, të braktisur dhe të pabanuar, që shërben vetëm si bazë për regjistrimin e votuesve të Pustecit.

Sipas informatave tona, në adresën e njëjtë me Temellkon janë paraqitur edhe 7 persona të tjerë me 4 mbiemra të ndryshëm, të gjithë nga Pusteci. Protagonistja D. Temellko, rastësisht apo jo, ka mbiemër të njëjtë me kryetarin e Komunës së Pustecit Edmond Temellko, i cili është mysafir i rregullt i konventave dhe kongreseve të VMRO DPMNE-së, ndërsa shpesh edhe nikoqir i zyrtarëve të partisë së Gruevskit dhe vetë kryeministrit. Përveç rastit të hulumtuar nga televizioni Alsat, edhe Organizata joqeveritare Civil ka zbuluar parregullsi lidhur me Listën Zgjedhore dhe adresat e votuesve. Ata kanë denoncuar një rast në Kisella Vodë, ku votuesit janë paraqitur në banesën me numër 25, edhe pse ndërtesa në fakt ka vetëm 17 banesa.

"Lista zgjedhore nuk është e pastruar deri në fund, dhe nuk është në përputhje me të gjitha standardet. Ajo që vërtetuam dje, ishte ekzistimi i një numri më të madh hyrjesh në ndërtesa, se sa ekzistojnë realisht. I numëruam banesat, dhe e pamë se në Listën Zgjedhore ka banesë nr. 25, ndërsa në një hyrje në ndërtesat që i kontrolluam, kishte maksimumi 17 banesa", deklaroi Xhabir Derralla, Civil.

Votuesit e Pustecit ishin aktual edhe në zgjedhjet lokale, kur media të ndryshme regjistruan transportin e tyre të organizuar nga Pusteci për të votuar në Komunën Qendër. Në këto zgjedhje ata janë regjistruar të votojnë në Ambasadën e Maqedonisë në Tiranë si votues në njësinë zgjedhore të Evropës. Sipas njohësve të rrethanave, vendimi për të votuar në diasporë për zgjedhjet parlamentare vjen për shkak të vlerës më të madhe të votës atje, sepse deputetët në diasporë zgjidhen me shumë më pak vota se sa ata në Maqedoni. Megjithë parregullsitë e shumta dhe refuzimin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Gjykata Administrative e lejoi regjistrimin e Pustecasve për votim në diasporë. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form