Një agjent policie i infiltruar dhe me detyrën e porositësit, ka qënë ai që ka çuar drejt arrestimit të sukseshëm të Pjetër Babaj dhe Lulzim Toska të enjten Shkodër,të dyshuar si prodhues dhe tregtarë të minave me telekomandë.
Është mundur të mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me uniformat blu prej muajsh kishin në vëzhgim dy personat dhe ishin të skeduar si montues dhe tregëtar të lendëve eksplozive.
Sipas Prokurorisë hetimet kishin muaj që kishin nisur dhe synimi ishte që dy personat të arrestoheshin në flagrancë. Pas porosisë së të infiltruarit është vendosur që në datën 10 prill të bëhej takimi dhe dorëzimi i porosisë.
Pikërisht kjo ditë është vendosur për të bërë edhe arrestimin e Babaj, pranë urës së Bunës në Shkodër. Ndërsa disa minuta më vonë nga policia është mundur të vihet në pranga edhe shtetasi Lulzim Toska,në banesën e tij.
Në cilësinë e provave që do të përdorën kundër dy personave në gjykatë është mundur të sekuestrohet në makinën e Pjetër Babaj,dy mina të montuara dhe një pistoletë. Në shtëpinë e tij janë gjetur 2 mina dhe pajisje të tjera që nevojiten për përgatitjen e minave.
Ndërsa në banesën e Lulzim Toskës janë gjetur një pistoletë dhe një sasi municionesh. Të dielën dy personat e arrestuar priten të dalin para Gjykatës së Krimeve të Rënda për tu njohur me masën e sigurisë ndaj tyre.
Mesohet se akuza do të kërkojë "arrest me burg" për akuzën e mbajtjes dhe tregtimit të municioneve luftarake dhe armëmbajtje pa leje.