Ish-Ministri i Mbrojtes, Arben Imami, ka përgenjështruar deklaratën e deputetit socialist Erjon Braçe, sipas së cilës Ministria e Mbrojtjes kishte të dhëna që nga 2012 se infrastruktura ushtarake përdorej për trafik droge.
Në një prononcim për mediat, Imami tha se nuk ka patur të dhëna, as informacione në vitet e mëparshme, kur kjo Ministri drejtohej prej tij, për përdorim të infrastrukturës ushtarake ne trafik droge.
"Nuk mund të fshihem pas FA, kjo është çështje e cila lidhet drejtëpërdrejtë me administrimin e politikave që ka qenë krejtësisht tolerante në qeverisjen socialiste. Në termin e mandateve të PD nuk kemi pasur asnjë informacion për përdorimin e infrasktukturës ushtarake për trafikimin e lëndëve narkotike.Ne nuk kemi pasur asnjë të dhënë e asnjë informacion"tha Imami.
Ndërkaq Imami deklaroi edhe njëherë se Kryeministri Rama dhe Ministrja e Mbrojtjes Kodheli nuk mund të fshihen për përdorimin e ushtrisë për trafikun e drogës.
"Po bëjnë përpjekje për të mos ju përgjigjur pyetjeve Ministrja e Mbrojtjes dhe Ministri i Brendshëm. Ne i përgjigjemi drejtëpërdrejtë. Jo nuk ka pasur informacion as të dhëna për përdorimin e infrasturktuës ushtarake nga trafikantë të drogës"shtoi ai.
Më herët gjatë ditës përmes një postimi në faqen e tij në fb, deputeti i PS-së Erion Braçe tha se PD disponon një korrespondencë sekrete që ka qarkulluar mes institucioneve të sigurisë ku flitet për informacione në proces verifikimi për mundësinë e trafikut të drogës, por që nuk është verifikuar ende.
Sipas Braçes, PD disponon një letër të nënshkruar nga Visho Ajazi Lika (kryetari i SHISH) e cila flet për dyshime serioze, nisur nga të dhëna në proces verifikimi si dhe nga një informacion i përcjellë nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë në tetor të vitit 2013, kohë kur në krye të ministrisë ishte ministrja e re Mimi Kodheli.
Informacioni i përcjellë në letër i referohet një tjetër informacioni të mbledhur nga policia kriminale e Policisë Ushtarake që i referohet të dhënave që datojnë tetor të vitit 2012, kohe kur në krye të kësaj ministrie ishte Arben Imami. Nuk dihet ende nëse ky informacion i tetorit 2012 i është përcjellë ndonjëherë SHISH apo jo, para tetorit te vitit 2013.
Erjon Braçe akuzon SHISH se ka vënë në dispozicion të PD-së këtë informacion të klasifikuar "secret" duke bërë një shkelje të rëndë ndërkohë që PD po e përdor për qëllime tërësisht politike e spekulative.
Braçe thotë strukturat e shtetit, të Ushtrisë dhe Policisë kanë nisur bashkëpunimin për të provuar një aktivitet të mundshëm kriminal nëse rezulton goditjen e menjëhershme të tij.