"Pse nuk na thanë që mbajtën zemrën e djalit tim? Pse vrau djali im dhe pse e ndëshkuan në të njëjtën mënyrë?" Këto janë dy pengjet që nëna e Ilia Karelit kërkon të dijë dhe nuk gjen paqe deri sa të mësojë të vërtetën. Një gazetar grek, Thodhori Nikolao ka udhëtuar drejt banesës së familjes Kareli në Fier për të marrë dëshminë e të ëmës dhe të familjarëve të tjerë në lidhje me vdekjen e Ilia Karelit. Shkrimi është publikuar në faqen online vice.com.
"Një gjë dua të pyes: Zemra e djalit tim me çfarë justifikimi u mbajt në Greqi? Kur vajtëm të merrnim trupin pse nuk na thanë, merreni por zemra do të ngelet këtu. Pse nuk na thanë që do ta mbanin për analiza. Nëse nuk do e çonim për ekspertizë në Shqipëri nuk do ta merrnim vesh kurrë që zemra e tij mungonte."
Thotë mamaja e Karelit dhe shton pse vrau djali im dhe pse e ndëshkuan me të njëjtën mënyrë. Dua ta marr vesh. Nuk do të gjej qetësi nëse nuk e mësoj. Edhe pse e di që djali im nuk do të kthehet më mbrapsht.
Avokatja që e ka mbrojtur për herë të fundit në gjyq, Maria Stamelu në janar të 2014 ka thënë për gazetën greke "Vima" se kishte biseduar me të disa ditë para se të ndodhte vrasja në Malandrino.
"Mezi po priste të lirohej. Kur papritur më morën në telefon nga burgu dhe më thanë që ka dalë një urdhër i ri arresti për drogë. Nuk e di çfarë ndodhi në të vërtetë pasi besonte se 24 orët e ardhshme do të ishte i lirë".
Nipi bën tatuazh emrin e Kudretit
"Deti" ky është emri që nipi i Ilia Karelit ka bërë tatuazh në krahun e tij të majtë. "Deti" është emri që i vogli thërriste shkurt xhaxhain Ilia Karelin apo i njohur si Kudret Kume. Edhe Ilia në krahun e tij kishte bërë në tatuazh emrin e të nipit.