Afera e kryeministrit, ekspertët kërkojnë zgjidhje të rastit

alsatmtv 2015-08-22

Views 1

Skandali korruptiv prej 1.5 milion euro, që sipas opozitës, është kryer nga kryeministri, Nikola Gruevski nuk guxon të mbetet pa epilog , thonë ish anëtarët e komisionit antikorrupsion. Besueshmëria e audio incizimit të publikuar nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, duhet të dëshmohet, por të shqyrtohen edhe provat e tjera që janë në dispozicion.

"Në kohën e sotme teknika ka mundësi të sigurojë një përgjigje për autenticitetin dhe vërtetësinë. Ndërsa vërtetësia mund të dëshmohet edhe përmes provave të drejtpërdrejta që janë materiale, siç janë shumat e paguara për mit-marrje që janë dokumentuar dhe janë dëshmi materiale", tha Dragan Malinovski, ish-kryetar i Anti-Korrupsionit.

Nga Prokuroria Publike paralajmëruan se pas festave do ta shqyrtojnë rastin dhe do të prononcohen nëse dhe si do të veprojnë. Por, janë të hapura edhe dilemat për pavarësinë e këtij institucioni, pasi prokurori publik shpesh mund të shihet në shoqëri me zyrtarë të lartë të qeverisë, konsiderojnë ekspertët.

"Paraqitja publike e Prokurorit të Përgjithshëm me njerëzit që janë në poste të larta të pushtetit është një sjellje jo-shembullore. Prokurori duhet të jetë gjithmonë në distancë me ata që janë në pushtet, sepse duhet të veprojë në mënyrë të pavarur nga sundimi dhe dëshira e tyre dhe duhet të veprojë në përputhje me ligjet", u shpreh Sllagjana Taseva, ish- kryetare e Anti-Korrupsionit.

"A ka ai kapacitet? Mundësi teknike ka, por se a ka vullnet që kjo të çohet deri në fund, për këtë ekzistojnë rezerva të caktuara, duke pasur parasysh se si deri tani sillej Prokuroria. Por, të mos jemi të dyshimtë që të japim një shans kjo të punohet në mënyrë profesionale dhe të kemi një përgjigje adekuate", theksoi Dragan Malinovski, ish-kryetar i Anti-Korrupsionit.

Televizioni Alsat tentoi që të kontaktojë edhe kryetarin e Komisionit të Anti-Korrupsionit, Gjorgji Sllamkov, por ai nuk i përgjigjej thirrjeve telefonike. Komisioni i Anti-Korrupsionit mund të luajë një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e kësaj çështjeje, por Taseva ka rezerva për mënyrën se si ata do të veprojnë.

"Kjo përbërje dhe përbërja e mëparshme, treguan se nuk janë të interesuar që të veprojnë lidhur me bartësit e pushtetit. Në vend që të jenë kontrollues të pushtetit ata u bënë bashkautorë ose bashkëpunëtorë me pushtetin në veprimet që ata i bëjnë në mënyrë të paligjshme", deklaroi Sllagjana Taseva, ish- kryetare e Anti-Korrupsionit.

Për video incizimin që e publikoi, Zoran Zaev , për të cilin thuhet se kryeministri, Nikola Gruevski, ka rënë dakord për mitmarrje prej 1.5 milionë eurosh, para të gatshme për shitjen e "Makedonska Bankës", biznesmenit serb, Jovica Stefanoviq - Nini, Gruevski paralajmëroi ngritjen e padisë, duke theksuar se bëhet fjalë për rast të montuar. Natasha Stojanovska

Share This Video


Download

  
Report form