Kryeministri Nikolla Gruevskit mund të angazhojë institucionet më bashkëkohore botërore që të vërtetojnë nëse biseda telefonike për mitmarrje prej 1.5 milion eurosh është montim, porositi lideri i opozitës Zoran Zaev. Ai se në një vend normal politikantë e kalibrit të këtillë menjëherë japin dorëheqje dhe largohen nga skena politike.
"Gjithsesi se specifika e zërit dhe të folurit e tij në mënyrë plotësuese konfirmon se nuk bëhet fjalë për kurrfarë montimi, por për një qasje me përgjegjësi të opozitës e cila ka për detyrë, që atë që ka në dispozicion ta ndajë me opinionin. Nëse kryeministri është i involvuar në kriminalitetin e tillë do të thotë se për të gjithë bashkëpunëtorët e tij të tjerë ky është motivim plotësues që ta shkatërrojnë Maqedoninë", tha Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së.
Ndryshe dje reaguan nga zyra e avokatëve të kryeministrit Nikolla Gruevski duke i hedhur poshtë pretendimet e opozitës.
"Të pavërteta dhe trillime janë konstatimet se Nikolla Gruevski ka qenë krijuesi kryesor i kriminalitetit në shtet, babai i kriminalitetit në Maqedoni, se ka marrë 1.5 milion euro në dorë nga biznesmeni i njohur si Gazda Nini, se ka fshehur tatim prej 225 mijë eurosh, se ka kontrolluar kompani of-shop si dhe kompani vendore që kanë pasur aksione në "Makedonska Banka" dhe se ka përfituar 2.4 milion euro në dorë nga shitja e aksioneve të "Makedonska Banka", si dhe të gjitha konstatimet tjera në konferencat e shtypit përfshirë edhe deklaratat në audio incizimet dhe transkriptimi i tyre, në fakt janë deklarata të pavërteta të dhëna nga personi Zoran Zaev", u shpreh Zyra e avokatëve të kryeministrit, Gruevski.
Nikolla Gruevski kurrë nuk ka pasur aksione në bankën e përmendur, deklaratat janë me qëllim që të njolloset nderi dhe prestigji i Nikola Gruevskit theksuan avokatët e Gruevskit.
Ndërkohë ka reaguar edhe partia liberale me kritika ndaj mediave private proqeveritare dhe deri tek shërbimi publik RTVM, që financohen nga qytetarët për heshtjen e skandalit ku aktor kryesor është Gruevski. "Fatkeqësisht ndonëse detyrimi ligjor i të gjitha televizioneve me koncesion nacional është që ti publikojnë mendimet dhe qëndrimet e partive politike, shumica prej tyre harruan edhe në ligjin dhe në etikën gazetareske", thuhet në reagimin e kësaj partie. Natasha Stojanovska