TURQI - Shqipëria dhe Turqia do të institucionalizojnë marrëdhëniet dypalëshe nëpërmjet një këshilli të nivelit të lartë, si instrument për të strukturuar bashkëpunimin në fusha të rëndësishme si politika e jashtme, bashkëpunimi ndërkombëtar, drejtësia, punët e brendshme, çështjet e sigurisë, mbrojtja, ekonomia, energjia, mbrojtja e mjedisit, kultura, arsimi dhe shkenca.
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, gjatë një takimi me homologun turk , Ahmed Davutoglu, është shprehur se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, të bazuara në miqësinë dhe lidhjet tradicionale, kanë fituar një dimension të ri.
"Falënderova Qeverinë turke, në emër të Qeverisë shqiptare, për përpjekjet e treguara në funksion të jetësimit të projektit TAP, si projekt i një rëndësie strategjike, i cili do të mundësojë diversifikimin e burimeve të energjisë dhe të gazit në Evropë dhe, mbi të gjitha, do t'i japë një kuptim më të madh paqes e stabilitetit rajonal, duke lidhur Kaspikun me Adriatikun", u shpreh Ministri Bushati.
Ministri i Jashtën turk Davutoglu gjithashtu, ofroi mbështetjen e pakursyer të Turqisë në të gjitha fushat e bashkëpunimit.
Ministrat Bushati dhe Davutoglu, ndërsa vlerësuan bashkëpunimin në kuadër të NATO-s nënvizuan se të dyja vendet ndajnë qëndrime të përbashkëta për çështje me ndjeshmëri rajonale, sikundër është përfshirja e Kosovës në të gjitha proceset e bashkëpunimit rajonal, nën dritën dhe frymën e marrëveshjes së Brukselit, arritur me ndërmjetësimin e BE-së.
Gjatë takimit u shpreh pikëpamja e Qeverisë shqiptare që Presidenca e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Jug-Lindore, që do të mbahet nga Shqipëria duke filluar nga qershori i këtij viti, do të punojë për konsolidimin e gjithëpërfshirjes dhe pjesëmarrjes së të gjitha vendeve të rajonit në një tryezë.
Të dy ministrat, pas bisedimeve, nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit edhe në fushën e teknologjisë se informacionit.