Sarandë - Rreth 200 banorë të fshatit Xarrë kanë bllokuar sot paradite për rreth 1 orë rrugën nacionale Sarandë -- Qafë Botë.
Qëllimi ka qenë për të protestuar kundër mashtrimit, sipas tyre, që bëhet me tokën e zonës së Bufit.
Me parrulla në duar ku shkruhej " Bufi është i Xarrës", "Duam tokat tona", "Poshtë Dhimo Kote", "Poshtë korrupsioni", ata kanë protestuar për rreth 1 orë duke mos marrë parasysh edhe kushtet e rënduara të motit me shi të rrëmbyeshëm.
Banorët e dalë në protestë janë shprehur se janë kundër bërjes së kooperativës dhe se tokat e Bufit janë të Xarrës.
Kryeplaku i fshatit Xarrë, Fatmir Sadiku, duke iu drejtuar protestuesve tha, " Jemi mbledhur sot këtu për të kërkuar të drejtat tona të mohuara deri tani.
Jemi mbledhur për t'i thënë stop grabitësve të tokave të Bufit që megjithë kullotën që është e favorshme për mbjelljë kap një sipërfaqe prej 280 ha."
Banorët nga ana e tyre janë shprehur se, "neve nuk na e marrin dot Xarrën, kjo është toka jonë, buka jonë. Nëse problemi nuk zgjidhet do shkojmë protestat tonë deri sa shqëtësimi ynë të bjerë në veshë që duan të mirën tonë."