Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Tiranë, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni reagon lidhur me kallëzimin penal të ILDKP-së ndaj tij për fshehje pasurie. Përmes një komunikate të shpërndarë për mediat, Gjoni e konsideron një fushatë denigruese me qëllime politike.
Sipas tij të gjitha deklarimet e dhëna në media janë akuza të montuara me keqdashje ne dhoma të errta të një pjese të politikës dhe të grupeve të interesit që qëndrojne pas tyre.
Gjin Gjoni pretendon se përmes goditjes së tij, kërkohet të uzurpohet Keshilli i Lartë i Drejtësisë. Arsyeja tjetër e kallëzimit penal ndaj tij, thekson Gjini, ka të bëjë me përpjekjet e vazhdueshme të qarqeve të caktuara të lidhur me njerëz të pushtetit për gllabërimin e një biznesi të sukseshëm që bashkëshortja e tij ka krijuar rreth 14 vjet para se të martoheshin.
Nga ana tjetër gjyqtari Gjoni thekson se kreu i ILDKP-së, Shkëlqim Ganaj, ka qenë një nga personat me te cilin jo vetem është konsultuar, por edhe e ka ndihmuar në plotësimin e këtyre deklaratave.
Anëtari i KLD-së thekson më tej në deklaratë, se ILDKP ka vepruar në kundërshtim me ligjin nr 9887 dt 10.03.2008 ndryshuar me ligjin me nr 48/20 12.Për mbrojtjen e të dhënave personale, duke bërë publike të dhëna personale të tij dhe bashkëshortes.
Ndërsa shprehet i hapur per çdo hetim të plotë dhe të drejte për të nxjerrë në pah të vërtetën, Gjoni deklaron se do të padisë kreun e ILDKP-së për shpërdorim detyre dhe kallëzim të rremë ndaj tij dhe bashkëshortes së tij.