Tiranë- Nga java e ardhshme procedura e tranzimit në pikat doganore në Vërmicë dhe Morinë do të bëbet vetëm 10 minuta.
Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Doganave të Kosovës, Lulëzim Rafuna sot në tryezën e përbashkët Shqipëri-Kosovë që po zhvillohet në Kryeministri.
"Që nga java e ardhshme do të nisim shkurtimin e procedurës së tranzitimit në 10 minuta në dy pikat doganore, dhe në Vërmicë dhe Morinë", tha Rafuna.
Rama: Terminal të përbashkët doganor
Kryeministri Rama foli për rëndësinë e krijimit të tregjeve të përbashkëta, krijimin e një terminali të përbashkët doganor, njësimin e çertifikimit sanitar mes Shqipërisë e Kosovës si dhe ngritjen e një këshilli ekonomik kombëtar Shqipëri- Kosovë.
"Doganat e dyfishta janë regjim absurd" u shpreh Rama.
"Kufirin me Kosovën e kemi bërë më të vështirë se atë me Serbinë. Krijohen radhë të gjata. Duhet të vendosim regjim të përbashkët. Të garantohet të mos krijohen radhë. Duhet të përmirësojmë infrastrukturën doganore. Nevojitet një këshill ekonomik kombëtar që të zhvillojë takime periodike me prezencën e gjithëhershme të dy ministrave të Financave dhe dy drejtorëve të doganave dhe me prezencën e gjithëhershme të përfaqësuesve të Dhomës Kombëtare të Tregtisë.
Ky Këshill Ekonomik Kombëtar do të na japë mundësinë që e para të jemi në kontakt të vazhdueshëm sepse luftën me burokracinë e kemi të përbashkët. Unë refuzoj të jem përfaqësues i burokracisë. Duhet ta shpallim armik të përbashkët burokracinë në mënyrë që të gjithë ata që shërbejnë në terren të bëhen pjesë e përbashkët dhe të mos jenë pengesë për bashkimin ekonomik kombëtar. Mjafton të shikojmë dallimin që ekziston sot mes kufirit Kosovë-Serbi, dhe Kosovë Shqipëri sa i takon shpejtësisë cilësisë dhe lehtësisë së shkëmbimit të mallrave për të konsideruar domosdoshmërinë e mbylljes së kësaj epoke të turpshme dhe hapjen e epokës së re", u shpreh Rama.
Sot në kryeministri po mbahet një tryezë e përbashkët me një delegacion nga Kosova, të përbërë nga përfaqësues nga qeveria , biznesmenë por dhe përfaqësues të doganave kosovar.