Mesfushori kosovar i ekipit të Partizanit, Mazrekaj i ka kërkuar falje publikisht trajnerit të ekipit Marcio Sampaio dhe stafit mjekësor për sjelljen e tij në javët e fundit që shkaktoi mjaft probleme. Në një konferencë për shtyp 24-vjeçari e pranoi se kishte gabuar. "Dua t'i kërkoj falje trajnerit dhe stafit mjekësor për sjelljen time.
Shpresoj që të gjithë të mirëpresim në stërvitje dhe të vazhdoj të kontribuoj për këtë klub të madh. Trajneri kurrë nuk më ka thënë personalisht se do të më dërgonte te Partizani B, por unë jam bazuar te ato që kanë shkruar gazetat".
Kosovari theu disiplinën në muajt e fundit duke filluar pas fazës përgatitore në Turqi duke acaruar trajnerin që vendosi ta përjashtojë deri sa të kërkonte ndjesë. Pas mirëkuptimit që gjeti me presidentin Gaz Demi, mesfushori kosovar duhej të kapërcente edhe një pengesë, që ishte trajneri potugez, Sampaio.
Ndjesa ndaj portugezit i hap rrugë rikthimit të kosovarit në stërvitje. Në vazhdim të intervistës në ambientet e ekipit të kuq, Mazrekaj e pranoi se ka pasur kontakte me skuadrat e tjera të Superiores, por e ardhmja e tij mbetet Partizani. "Është e vërtetë që kam pasur oferta nga klube të tjera, por unë jam i fokusuar vetëm te Partizani.
Shumë shpejt do të firmos kontratën që më mban të lidhur me këtë klub edhe dy vite të tjera, pasi për gjithçka kemi rënë dakord me presidencën. Shpresoj të arrijmë objektivat dhe të luajmë në Europa League" tha ai. Ndeshja e radhës për ekipin e Partizanit është përballë Laçit.