Tiranë- Ministria e Arsimit tërhiqet nga ndryshimet e bëra në ligjin e arsimit të lartë. Ky draft që diskutohet në Komisionin e Shëndetësisë, përkatësisht në 6 nenet e ndryshuara është shoqëruar me debate si nga Ministrat dhe deputetët, ashtu edhe nga grupet e interesit.
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, në cilësinë edhe të ish-Ministrit të Shëndetësisë, bëri 2 propozime të cilat tashmë janë 2 nene të ndryshuara.
Së pari, sipas propozimit të Vasilit, shefat e shërbimeve do të zgjidhen më konkurs, pra ndryshe nga ajo që parashikonte Ministria që do të bëhej me emërime të komanduara deri në janar dhe më pas do të niste zgjedhja e tyre.
Për shefat e shërbimit të QSUT-së mbetet sërish konkursi, ku dosja e secilit kandidat do të vlerësohet nga një Komision me 7 anëtarë që drejtohet nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Ministria e Arsimit parashikonte që propozimet e kritereve për zgjedhjen e shefave të shërbimeve do ti bënte Ministria dhe kriteret do të përcaktohen me VKM.
Ndryshimi i nenit 6 përcakton se nuk do të jetë rektori ai që emëron dekanin dhe dekani shefat e departamenteve, ashtu siç propozoi MASH në këtë draft, po do të bëhen zgjedhjet edhe në këtë rast për dekanë dhe për shefat e departamenteve. Studentët janë ata që do të japin të drejtën e tyre në këtë rast.
Nga ana e saj Ministria e Arsimit ka shprehur shqetësimin se ndryshimet në këtë ligj janë të nevojshme për shkak të abuzimeve që kanë ndodhur kur një shef departamenti është vëtëzgjedhur shef shërbimi.
Ndryshimet në këto drafte janë përcjellë me debate, por edhe me protesta nga ana e studentëve të Universitetit të Mjekësisë.