Tiranë- Mazhoranca përfshin në kalendarin e punimeve të Parlamentit ligjin e ri për nëpunësin civil të rregulluar.
Me projektligjin e ri, qeveria synon të realizojë qëllimin e aktit normativ, duke i shtyrë efektet e ligjit "Për nëpunësin civil" deri më 1 prill 2014.
Opozita e kundërshton duke deklaruar se po kërkohet të hidhet poshtë ligji i miratuar një vit më parë me konsensus por edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
"Kërkuam që ligji për nëpunësin civil që ata duan të fusin në Parlament për të hedhur poshtë ligjin e miratuar me konsensus një vit më parë dhe për të hedhur poshtë vendimin e gjykatës Kushtetuese të mos e përfshijnë. Ne nuk jemi dakord. Ata vendosën ta kalojnë," u shpreh Paloka, pas përfundimit të mbledhjes së konferencës së kryetarëve
Kreu i grupit të PD, Edi Paloka pas përfundimit të mbledhjes së konferencës së kryetarëve tha se nuk është gjetur konsensus sa i përket datës kur do të mbahet seance plenare, dhe as kalendarit të punimeve.
"Nuk ramë dakord për kalendarin e punimeve të parlamentit. Është hera e dytë brenda një periudhe shumë të shkurtër që Parlamenti nuk zhvillon seance parlamentare."