Transparencë Internacional Maqedoni, paralajmëroi padi penale kundër organizatorëve të fushatave politike, kjo pasi sipas Sllagjana Tasevës, kanë abuzuar pozitën e tyre zyrtare gjatë zgjedhjeve. Nga kjo organizatë joqeveritare thonë se në hulumtimin e tyre kanë konstatuar pagesa të paligjshme për shpenzimet e fushatave zgjedhore të partive politike, pagesën me para në dorë dhe shfrytëzimin e mjeteve të pushtetit vendor dhe të ndërmarrjeve publike për qëllime partiake.
'Për shfrytëzimin e shërbimeve të 'NPK Prilep' që dha shërbim për rregullimin e rrethojave që janë përdorur gjatë mitingut të VMRO-DPMNE-së në Prilep, morëm informacionin nga NPK se një gjë e tillë është kërkuar dhe është realizuar shërbimi, për çka është faturuar. Deri këtu është në rregull. Por shërbimi është paguar me para të gatshme që ndalohet dhe për këtë i pagoi Komiteti Komunal i VMRO-DPMNE-së në Prilep, gjë e cila është e ndaluar', deklaroi Sllagjana Taseva, Transparencë Internacional.
Taseva tha se këto raste tregojnë se Republika e Maqedonisë ende nuk ka vendosur mekanizma të fuqishëm për përcjelljen dhe mbrojtjen e këtij lloj abuzimi, që, sipas saj, e rrezikon zhvillimin demokratik të vendit. Për shkak të kësaj nuk mund të bëhet fjalë se fushata zgjedhore ishte e drejtë dhe kushtet ishin të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit. Taseva thotë se shkelje të ngjashme bëri edhe një parti tjetër politike në zgjedhjet lokale në vitin 2013. Verica Pavlloska