MALAJZI- Zyrtarë australianë, malajzianë dhe kinezë janë takuar në Australi për të diskutuar rreth hapave të ardhshëm në operacionet e kërkimit për avionin e zhdukur të Malaysia Airlines.
Në bisedimet e zhvilluara në kryeqytetin australian të Kanberas ministrat e transportit të Malajzisë dhe Kinës iu bashkuan ish-marshallit të forcave ajrore autraliane Angus Houson i cili drejton operacionet e kërkimit.
Fluturimi MH370 me 239 persona në bord humbi kontaktet me kullën e vrojtimit më 8 mars ndërsa fluturonte nga Kuala Lumpur për në Pekin. Deri më tani nuk është gjetur asnjë shenjë apo pjesë e avionit.
Kërkimet tashmë do të fokusohen në shtratin e oqeanit, për të gjetur avionin apo kutinë e zezë. Ish-marshall i forcave ajrore autraliane Angus Houson bëri të ditur javën e kaluar se kërkimet për avionin Boeing 777 të Malaysia Airlines mund të zgjasin deri në 1 vit.