Shqipëria ka në plan të hapë tender për 13 blloqe për eksplorimin e naftës, përfshirë dhe një në det të hapur, pas një zbulimi të rëndësishëm i cili ka ngjallur interesimin e kompanive të huaja.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Energjisë dhe Industrisë shqiptare Damian Gjiknuri në një intervistë për agjensinë e lajmeve 'Reuters'. Sipas tij, qeveria më parë kishte negociuar kontratat në mënyrë të veçantë me kompanitë e huaja të naftës, por tashmë e ka ndryshuar strategjinë për shkak të interesit të madh të shfaqur muajt e fundit nga firmat e mëdha ndërkombëtare.
Në nëntor të vitit të kaluar, Royal Dutch Shell and Petromanas bëri të ditur se kishte zbuluar naftë dhe gaz të cilësisë së mirë në pusin e tyre të parë në Shpirag dhe se po vazhdon me shpimin për të zbuluar kapacitetin e rezervuarit.
Gjiknuri u shpreh se është normale që qeveria të hapë tender kur disa kompani interesohen për të blerë të njëjtin bllok. Sipas tij disa kompani të njohura kanë shprehur interesimin e tyre në zona specifike të Shqipërisë, ndoshta të ndikuar nga zbulimet e Shell-Petromanas. Megjithatë ministri i Energjisë dhe Industrisë shqiptare nuk bëri të ditur emrat e kompanive.
Në vitin 2013 Shqipëria arriti të nxjerrë 1.2 ton naftë bruto. Nga këto, 1.05 i nxori "Bankers Petroleum", 87 mijë "Stream Oil" dhe 37 mijë "Albpetrol". Të tjerat i nxorën 3 firma të huaja.
Agjencia Kombëtare e Burimeve Njerëzore është në proces rekrutimi të një firme ligjore për të këshilluar për kontratat aktuale në këtë fushë.