Hiqet TVSH-ja për librat dhe artikuj të tjerë që qarkullojnë nga Shqipëria në Kosovë

Ora News Lajme 2015-08-22

Views 1

Tiranë- Konkretizohet bashkëpunimi i Shqipërisë me Kosovën. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, në një konferencë për shtyp bëri me dije se me anë të një vendimi të qeverisë hiqet TVSH-ja për librat dhe artikuj të tjerë si revista apo gazeta që qarkullojnë nga Shqipëria në Kosovë.

"Hiqet tatimi mbi vlerën e shtuar prej 16% për të gjithë librat, revistat, periodikët e ndryshëm që kalojnë nga territori shqiptar për në Kosovë. Kuptohet ky është një lajm i mirë si për palën kosovare ashtu edhe atë shqiptare" tha Ministri i Financave.

Ndërkohë Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë zbardhi një tjetër vendim të qeverisë, i cili do të heqë procedurat e pajisjes me leje pune për qytetarët e Kosovës dhe ata të luginës së Preshevës.

"Nga sot e tutje të gjithë ata qytetarë të Republikës së Kosovës, nuk kanë nevojë as të paraqiten, as të fillojnë një proces burokratik aplikimi për leje pune apo për certifikata të regjistrimit për punësim, duke qenë se VKM-ja e sotme ia ofron këtë mundësi për të punuar në Republikën e Shqipërisë, çdo shtetasi të Kosovës.Pika e dytë e Vendimit të Këshillit të Ministrave është se kjo e drejtë është tashmë edhe për të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës. Qeveria e Republikës së Shqipërisë i është përgjigjur pozitivisht një kërkese të një përfaqësie të shoqatave studentore të studentëve të Luginës së Preshevës që studiojnë në Tiranë. Qeveria e kaluar i trajtonte ata me një ligj që quhej ligji për punësimin e të huajve.Qeveria jonë nuk i konsideron të huaj qytetarët shqiptarë në Luginën e Preshevës. Ky është një lajm i mirë. Unë e di që ka ndoshta nga ata kritikë që thonë se në Shqipëri nuk ka vende mjaftueshëm për qytetarët e Shqipërisë, jo më për ata të Kosovës dhe të Preshevës.Dua t'i informoj dhe kritikët që 80 % e kërkesave që ne kemi për leje pune në Shqipëri nga qytetarët e Republikës së Kosovës ose të Luginës së Preshevës, në fakt janë biznesmenë, pra njerëz që krijojnë vende pune dhe aplikojnë për leje pune që të krijojnë biznesin e tyre. Kështu që në pjesën më të madhe 80 % e këtyre kërkesave për leje pune që përfitohen, apo anulohen nga ky Vendim i Këshillit të Ministrave, bën fjalë për ata që krijojnë punë, kryesisht biznese të vogla dhe të mesme, nga qytetarë të Republikës së Kosovës dhe të Luginës së Preshevës. Më vjen shumë mirë sot që pas një pune disamujore kemi bërë diçka konkrete" tha Veliaj.

Qeveria shqiptare dhe ajo kosovare janë angazhuar për të pasur sa më shumë bashkëpunime në të gjithë sektorët.

Share This Video


Download

  
Report form
RELATED VIDEOS