KORÇË- Arrest shtëpie është masa e sigurisë e caktuar nga Gjykata e Apelit në Korçë për gjyqtarin Dhimitër Pojanaku, i cili u arrestua pak javë më parë për korrupsion. Pasi mbrojtja ka apeluar vendimin e Gjykatës së Faktit për lënien në burg të gjyqtarit Pojanaku, në ambientet e Gjykatës së Apelit është zhvilluar seanca për masën e sigurisë ndaj tij, ku trupi gjykues ka vendosur që Pojanaku të lerë burgun e Drenovës dhe të qëndrojë në arrest shtëpie deri në përfundim të çështjes.
Pas kërkesës së mbrojtjes për të caktuar një masë më të lehtë sigurie, Prokuroria ka kontestuar zhvillimin e kësaj seance me argumentin se nuk është më në kopetencat e kësaj gjykate, pasi çështja i ka kaluar Krimeve të Rënda.
Trioja e gjyqtarëve ka hedhur poshtë këtë kërkesë dhe ka zhvilluar normalisht seancën duke dhënë një masë më të lehtë për faktin se Pojanaku nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore por edhe për shkak të profesionit të ushtruar prej tij për vite me rradhë.
Gjyqtari Dhimitër Pojanaku u arrestua në kushtet e flagrancës teksa ishte duke marrë një sasi lekësh nga një qytetare për mbylljen e një çështjeje. Ai u akuzua për marrjen e 500 mijë lekeve ndërkohë që sipas mbrojtjes, gjyqtari ka qenë duke marë lekët e një zyre që kishte lëshuar me qera.