Tirane- Opozita dyshon se Artan Didi, Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka vrarë një nga pasagjerët e pafajshëm të autobusit i cili u mor peng nga Flamur Pisli në 28 maj 1999.
Sot në Komisonin Hetimor për lëvizjet në policinë e shtetit, kryetari Arben Ristani, paraqiti si provë materiale, videon e xhiruar nga mediat greke, ku fokusoheshin momentet e ndërhyrjes së Forcave Speciale, për të liruar qytetarët nga autobusi i cili u mor peng nga Flamur Pisli.
Sipas tyre personi që udhëhoqi këtë operacion ku përvec pengmarrësit Pisli, mbeti i vrarë gabimisht dhe një pasagjer, ishte Artan Didi, në atë kohë shef i Forcave speciale sot Drejtor i Policisë së Shtetit.
"Personi që dyshojmë se është drejtori Përgjithshëm i Policisë me automatik në dorë i afrohet derës dhe vret një qytetar të pafajshëm" tha kreu i Komisionit hetimor, Arben Ristani duke shtuar se kjo video do i jepet si provë prokurorisë.