Durrës-Stafi akademik i Universitetit "Aleksandër Moisiu" të Durrësit ka kundërshtuar hapur raportin e parë mbi reformën në arsimin e lartë në vend.
Atmosfera e tensionuar dhe debati kanë karakterizuar diskutimin teknik të raportit të hartuar nga Komisioni për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor në Durrës.
Pedagogët kundërshtuan cënimin e autonomisë së Universiteteve, pasi sipas tyre fuqizon Tiranën dhe Universitetet jopublike të saj.
Pjesë nga debatet
" Të propozosh formimin e Universiteteve rajonale është në rastin më të mirë naivitet dhe në rastin më të keq dhe kjo për fat të keq duket se është e vërtetë, është sa diskriminuese, aq dhe antiligjore dhe antikushtetuese. Ju thoni që Shqipëria ka numrin më të ulët të studentëve në rajon, atëherë për çfarë arsye kërkohet të goditet parimi i masivizimit. Masivizimi në Shqipëri karakterizohet jo nga masivizimi i studentëve, por nga numri i Universiteteve private. Në vendin tonë raporti është disproporcinal në favor të privatëve, ndërkohë që në gjitha vendet e rajonit ky raport është në favor të institucioneve publike. Kur bëhet fjalë për masivizim të kuotave në ciklin e tretë të studimeve, sa kuota janë miratuar për publikët dhe sa për privatët?"
" Nuk ndërhyn më as qeveria dhe as Ministria në përcaktimin e ofertës akademike. Oferta akademike që fillon sëpari me dimensionin e arsimit të lartë në secilin fakultet në njësitë kryesore. Do jetë Këshilli i fakulteteve që do përcaktojë numrin e studentëve, kurrikulat dhe kriteret e pranimit".
" Nëqoftëse ne i referohemi nga këndvështrimi konceptual, nëse flasim për autonominë një gjë është e sigurt që të gjithë ne kërkojmë më shumë autonomi institucionale, të gjithë universitetet publike. Dhe kur flasim për autonomi institucionale ajo akademike është e panegociueshme" tha zëvendës-rektori i UT-së, Ervin Demo.
Me afro 17 mijë studentë, Universiteti i Durrësit, në bazë të sugjerimeve të raportit rrezikon, përveç sistemit part-time edhe mbylljen e shumë programeve të tij.
Anëtarët e Komisionit deklaruan se ndonëse reforma është porositur nga Qeveria, politika nuk ka ndërhyrë në hartimin e saj.
Si një produkt i nisur që në vitet '90, reforma konsiderohet në vazhdën e përpjekjeve për të arritur standartet e kërkuara në rrugën e integrimit drejt BE-së dhe si një mënyrë për të disiplinuar zhvillimin kaotik dhe jo cilësor të arsimit të lartë në vend.