Dëshpërimi i një të papuni nuk ka kufi, sa arrin të mendojë se edhe mund të kryejë një veprim ekstrem: Të vrasë të tre fëmijët. I rrethuar nga 3 fëmijët e tij, më i vogli 4 vjeç më i madhi 10 vjeç Kujtim Braçaj përmes Ora News i kërkon shtetit vetëm një punë: Jo për të blerë vilë, por për të ushqyer fëmijët me bukë, qoftë dhe bukë të thatë.
Ndryshe thotë se mund të marrë një vendim ekstrem si ajo e shqiptares Edlira Dobrushi e cila pak kohë më parë shokoi gjithë popullin shqiptar e atë italian duke vrarë me thikë tre vajzat e saja.
"Shteti të më kthejë në punë, ose të vijë ti marrë fëmijët ndryshe do t'i vras sic e bëri ajo shqiptarja në Itali. S'kam nga tia mbaj.Ajo e bëri nga xhelozia unë do e bej nga varfëria. Këta s'kanë bukë për darkë. Një rrogë që do marr do laj drita, ujë, qera. Jam në mëshirë të fatit. Ju lutem të na ndihmojë nuk po kërkojmë vila por po kërkojmë një copë bukë, thatë të paktën" thotë Kujtimi për Ora News.
Kujtimi jeton në lagjen "Afrim i Ri" të qytetit të Fierit. Thotë se bashkëshortja e tij e ka braktisur disa ditë më parë dhe e ka lënë atë me 3 fëmijë, dy prej të cilëve me probleme shëndetësore. Kur del të mbledhë kanaçe është djali 10 vjeçar që kujdeset për dy vëllezërit e tij më të vegjël. Me lot ne sy Horgesti tregon dëshirën fëmijënore për të vazhduar shkollën por dhe për tu kthyer e ëma në shtëpi.
"Dua që babi të hyjë në punë. Të kemi lekë të blejmë bukë, libra. Mami të kthehet pasi unë nuk di t'i vesh vëllezërit e mi kur babi ikën të mbledhë kanaçe." Thotë i vogli.
Ndërsa Kujtimi i cili deri më 15 prill ka punuar në Albpetrol thotë se pavarësisht se ka kërkuar punë askush nuk i ka dhënë një mundësi.
"Gruaja ka 15 ditë që ka ikur se nuk i ushqej dot. Po shkoj te mami të ha një kore bukë. Ta bëjë për fëmijët, ata s'kanë bukë për darkë, lëre që kam borxhe, skam qera. Kam takuar prefektin dhe ata të Albpetrol por më kanë thënë kush të tha ti bëje fëmijët. Kjo është e turpshme " thotë Kujtimi.