SHKODËR - Përfaqësuesi i BE-së në Shqipëri, Clive Rumbold, ka komentuar situatën më të fundit në vendit tonë përsa i përket trafikut të lëndëve narkotike. Përpara mediave, Rumbold ka përsëritur apelin ndaj vendit tonë për forcimin e shtetit ligjor.
Ai deklaroi: "Forcimi i shtetit ligjor vazhdon të mbetet një prioritet për Shqipërinë dhe BE do të vazhdojë ndihmën dhe asistencën e vet për policinë, sistemin gjyqësor, që Shqipëria të përparojë në këtë drejtim në kuadër të integrimit në BE. Ne mbështesim punën e policisë në luftën ndaj çdo lloj trafiku."
I pyetur se a do ndikojë kjo situatë në marrjen e statusit në muajin qershor, Rumbold tha:
"Në qershor, shtetet anëtare të BE-së dhe Komisioni Europian do të marrin një vendim bazuar në një raport që përfshin progresin në disa reforma si atë gjyqësore, si në atë të zbatimit të ligjit, luftën ndaj korrupsionit dhe trafikut. Pra, janë disa informacione të mbledhura mbi disa reforma që do të përmblidhen për të patur një panoramë të qartë mbi zhvillimet e vendit. Pra, qartazi, vendimi i qershorit do të jetë i bazuar në këto fusha."
I ngarkuari me punë pranë Delegacionit të BE-së në Shqipëri Clive Rumbold ka qënë i pranishëm në qytetin e Shkodrës për të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të konkursit të pikturës "Evropa ime" për nxënësit e shkollave të mesme të qytetit.