13 ton e 300 kilogramë lëndë narkotike janë sekuestruar nga Policia e Shtetit grek gjatë 4-mujorit të parë të këtij viti, ndërkohë që janë me dhjetra persona të shoqëruar dhe të arrestuar si transportues të drogës.
Në analizën e fundit që i përket muajit prill, statistikat tregojnë se sasia e sekuestruar është 2 ton e 820 kilogramë marijuanë, falë operacioneve të zhvilluara edhe nga policia kufitare por edhe ajo e rendit.
Sasitë më të mëdha janë sekuestruar në zonën kufitare Igumenicë - Janinë, ndërkohë që ka pasur sekuestrime të mëdha edhe në Athinë e Selanik.
Në të gjitha rastet lënda narkotike ka patur origjinë Lazaratin dhe është vërtetuar se ajo është trafikuar në rrugë tokësore apo detare nga Shqipëria.
Policia greke në bashkëpunim edhe me policinë kufitare të Sarandës apo Forcave Delta në Vlorë, pjesë e strukturave të qarkut, prej disa kohësh kanë shtuar kontrollet dhe monitorimim e ujrave territoriale, me qëllim parandalimin e trafikut të drogës.
Jo më pak ky trafik zhvillohet edhe në rrugët tokësore që lidhin Sarandën me kufirin jeshil, ku Qafe Bota dhe Konispoli i skajshëm, mbeten dy pikat më të nxehta për këtë trafik. Sipas statistikave të nxjerra nga policia greke, sasia e drogës e sekuestruar gjatë këtij viti është më e madhe krahasuar me një vit më parë.