Serbia, Bosnja, Kroacia dhe Sllovenia të përmbytura nga vërshimet

alsatmtv 2015-08-22

Views 12

Përkundër shpresave se gjendja me përmbytjet do të fillojë gradualisht të stabilizohet, situata në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, tashmë ka marrë përmasa shqetësuese. Sipas autoriteteve në Beograd, gjendja më alarmante paraqitet në qytetin, Obrenovac, 30 kilometra nga kryeqyteti. Kryeministri Aleksandar Vuçiq u bëri thirrje qytetarëve që të mos refuzojnë evakuimin dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve kompetente. Rreth 80 për qind e qytetit është nën ujë, kurse të reshurat e shiut nuk kanë të ndalur.

Nga rajonet kritike janë evakuuar rreth 6000 persona, kurse jetën e kanë humbur tre persona. Ndihma për autoritetet serbe sot erdhi nga Rusia, kurse ndihma kanë ofruar edhe autoritetet maqedonase dhe kroate. Mekanizmin e Mbrojtjes Civile sot e aktivizoi edhe Bashkimi Evropian prej ku pritet furnizimi me pompa për ujë. Megjithatë, gjatë ditëve të ardhshme pritet dalja nga shtrati i lumit Sava, që paraqet rrezik për qytetin Shabac të Serbisë perëndimore.

Situatë alarmante është edhe në Bosnjë, ku në shumë qytete është shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Gjendja më kritike paraqitet në qytetet Doboj, Tuzëll, Magllaj , Bijelinë dhe Banja Llukë. Në zonat e ulëta fushore të Dobojit, katet e para të shtëpive tashmë janë nën ujë. Në qytet ka njësi të veçanta që kryejnë evakuimin emergjent. Meteorologët paralajmërojnë se përmbytjet ende nuk kanë arritur kulmin. Edhe nesër shiu do të vazhdojë të bjerë me intensitet të lartë. Por edhe kjo nuk është e gjitha...

Në malin Vllasiq në Bosnjën qendrore tashmë disa ditë po bie borë. Trashësia e dëborës tejkalon 80 centimetra. Banorët më të moshuar të fshatrave lokal janë të habitur nga kjo dukuri.

"I kam 77 vjet. Diçka të tillë nuk mbajë mend për këtë periudhë të vitit ... Asnjëherë në vitet e mia", tha Mustafa Spahiq, banor i fshatit Mudrika.

Nga mekanizmi evropian i krizave, autoritetet e Bosnjës kërkuan dërgimin e helikopterëve dhe varkave me motor.

Me shirat vërshues po lufton edhe Kroacia. Situata më dramatike është në Sllavoni dhe Posavinë, ku uji nga disa lumenj ka dalë nga shtretërit e tyre duke përmbytur shumë shtëpi. Në këto pjesë të shtetit është shpallur gjendja e katastrofës elementare. Edhe Zagrebi mbrëmë u godit nga stuhia e motit të keq gjatë së cilës u thyen pemë dhe u shkulën çatitë e shtëpive.

Stuhia e shiut e përcjell me erëra orkani, mbrëmë shkaktoi dëme dhe probleme në trafik në pjesën veriore të Sllovenisë. Për shkak të linjave të dëmtuara elektrike, pa rrymë kanë mbetur rreth 1.200 familje në rajonin e Mariborit. Në pjesën veriore dhe verilindore të Sllovenisë disa rrugë janë mbyllur për shkak të pemëve që kanë rënë.

Ndërsa shpjegimin e vetë për katastrofën elementare në Serbi mbrëmë e paraqiti edhe patriarku serb Irenej. Sipas tij, përmbytjet ishin paralajmërim i Perëndisë në prag të paradës së paralajmëruar të homoseksualëve që do të mbahet më 19 maj në Beograd. Petar Bllazhevski

Share This Video


Download

  
Report form