Besir Ibrahimi nga Tetova, baba i tre fëmijëve të mitur, një kohë të gjatë vuan nga një sëmundje zemre. Para katër vitesh Besiri u detyrua të vendojë aparat për të ndihmuar funksionimin e zemrës. Aparati duhet ndërruar çdo tre vite, dhe ka një vit që po mundohet të mbledh të holla për një aparat të ri. Fondi shëndetësor i Maqedonisë ndan vetëm 2 të tillë në vit, prandaj për të vazhduar jetën, Besiri është i detyruar të sigurojë aparatin e nevojshëm në Gjermani, që kushton 25 000 euro.
"Ka gati një vit që duhet ndërruar këtë aparat, bëhet jashtë shtetit, sepse shteti nuk e përmban, mi kanë dhënë dokumentet se fondi nuk mundet ta bëj sepse vetëm dy aparate në vit lëshohen dhe nuk ka mundësi për më tepër sepse ka shumë kërkesa për këtë aparat që duhet të vihet në zemër. Jashtë shtetit duhet të behet në Gjermani, kushton 25 000 euro dokumentet i kam krejt nga 25 deri në 30 mundë të mbërrij por nuk e dimë atë gjë", tha Besir Ibrahimi.
Në pamundësi që ta paguaj vetë këtë aparat, Besiri kërkon ndihmën e njerëzve humanë. Të hyrat e vetme mujore i siguron nga pensioni 7400 denarësh, që nuk i mjafton as për të blerë barnat.
"Pres nga populli të më ndihmojnë. Kush ka mundësi me më ndihmu Zoti e shpërbleftë kush nuk ka Zoti i dhashtë. Pensionin e kam 7400 denarë në muaj, kurse barnat kushtojnë 150 euro në muaj edhe atë jashtë shtetit se këtu nuk ka, por edhe për këto nuk më ndihmon shteti", deklaroi Besir Ibrahimi.
Gjendja financiare e Besirit është përkeqësuar sidomos pas detyrimit që të paguajë nga xhepi i tij 20 mijë euro për aparatin e parë para 4 vitesh. Ai shpreson që këtë radhë ti lehtësohet të paktën barra financiare, përmes donacioneve të njerëzve humanë. Bashkim Sulejmani