Përmbytjet në Ballkan, rreth 45 viktima

alsatmtv 2015-08-22

Views 1

Ka shkuar në 45 bilanci i viktimave nga përmbytjet që kanë përfshirë Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë dhe Kroacinë, gjatë katër ditëve të fundit. Vetëm në Obrenovc të Serbisë, numërohen 16 viktima, ndërsa në BeH autoritetet informojnë për të paktën 28 të vdekur. Kroacia, deri tani numëron një viktimë.

Megjithë ndërprerjen e shirave, situata mbetet ende e vështirë në rajonin e Bjelinës në Bosnjë, në degëzimin ku lumi Drina derdhet në lumin Sava. Autoritetet paralajmërojnë dëme të tjera serioze edhe pse shumica e banorëve nga këto zona, i kanë braktisur shtëpitë e tyre. Rreth 10 mijë njerëz janë shpëtuar me helikopterë nga qytetet dhe fshatrat e përmbytur. Ndërkaq, në disa rajone përgjatë lumit Sava niveli i ujit vazhdon të rritet. Në Serbi rrezikohet seriozisht termocentrali më i madh në vend, ndërsa në BeH është ngitur shqetësimi se përmbytjet do të nxjerrin në sipërfaqe minat e mbetura nga lufta e viteve 1992-1995. Presidenti serb Tomisllav Nikoliç vizitoi sot rajonet e përmbytura dhe prej atje bëri apel për ndihmë e solidaritet me popullatën e prekur.

"Treguam guxim, tani duhet të tregojmë edhe humanitet. Ju bëj apel të ndihmoni, sepse Serbia është një. Kjo na ka bashkuar siç na bashkon gjithmonë fatkeqësia. Kjo mund të jetë bazë për një Serbi të re, tjetër", u shpreh Tomisllav Nikoliç, President i Serbisë.

Dhjetëra ekipe shpëtimi, dërguar nga vendet evropiane dhe Rusia kanë mbërritur nëpër rajone të ndryshme, duke ofruar ndihma në ushqime dhe medikamente. Edhe vendet e rajonit kanë treguar gatishmërinë për ndihmë me trupa ushtarake, ushqime, veshmbathje dhe mjete të tjera logjistike. Ditëve në vijim priten raportet paraprake mbi dëmet e shkaktuara nga përmbytjet. Megjithatë, është e qartë se kjo katastrofë natyrore, është padyshim më e rënda që ka prekur ndonjëherë Ballkanin. Adrian Kerimi

Share This Video


Download

  
Report form