DEVOLL - Ishin zhdukur tre ditë më parë me pretekstin e një pikniku dhe nuk ishin kthyer më në shtëpi, duke alarmuar familjarët. Bëhet fjalë për dy vajza me iniciale G.Xh 13 vjeçe dhe G.B 14 vjeçe nga fshati Vranisht të Devollit.
Sipas familjarëve të dy vajzave të mitura, shoqe me njëra tjetrën, ato kishin vendosur të organizonin një piknik së bashku me disa shoqe të tjera jo shumë larg fshatit dhe për këtë kishin marrë edhe lejë në familje, por askush nuk e kishte menduar se vajzat do të zhdukeshin për tre ditë me radhë.
Policia e Devollit, pas denoncimit të familjarëve, nisi intesivisht kërkimet duke bërë të mundur mëngjesin e sotëm gjetjen e tyre në fshatin Progër, ku sipas deklarimeve të vajzave, kishin shkuar të rrinin tek një shoqe.
Dy të miturat u dërguan në komisariatin e policisë së Devollit duke sqaruar edhe rrethanat e ngjarjes.