TIRANE- Partia Demokratike ka depozituar dje në Kuvend një kërkesë për ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimet nga administrata publike. Kërkesa e demokratëve u bë në ditën e 8 të grevës së urisë të të larguarve nga administrata. Deputeti Eduard Halimi depozitoi kërkesën në Kuvend ku në një prononcim jashtë ambienteve të institucionit theksoi se ngritja e këtij komisioni është i domosdoshëm përshkak se në administratë është shkarkuar një numër i madhe punonjësish.
"Ndaj një hetim parlamentar për t'i bërë transparent qytetarëve shqiptarë, procedurën e emërimit dhe lidhjet e këtyre personave që ndodhen në këto poste, ne gjykojmë se është i nevojshme e madje i domosdoshëm. Me këtë hetim parlamentar ne synojmë t'i bëjmë transparencë të gjithë qytetarëve shqiptarë cilat janë procedurat e emërimit, nëse këto emërime që janë bërë gjatë këtyre muajve janë ligjore ose jo dhe besoj se e përcjellim shqetësimin edhe të atyre qytetarëve shqiptarë që nuk janë anëtarësuar në ndonjë parti politike dhe nuk e lidhin shkollimin e fëmijëve të tyre dhe futjen në një vend pune me angazhimin në një forcë politike apo në ndonjë tjetër, por e bazojnë atë në CV-në, biografinë dhe në shkollimin e fëmijëve të tyre.",- tha Halimi.
Kërkesa e bërë nga Partia Demokratike është një fotokopje e asaj që bëri PS-ja në vitin 2006 kur në pushtet sapo kishte ardhur Berisha. Kësisoj kjo nismë e PD-së duket se po imiton aktivitetin opozitar të socialistëve në vitin e parë që ata ranë nga pushtetit. Në hetimin e atëhershëm PS nxorri në raportin e saj rreth 10 mijë punonjës të larguar nga administrata por që raporti nuk u votua asnjëherë në seancë plenare pasi ish-kryeparlametnarja Topalli nuk e futi në rendin e ditës të Kuvendit.