Parlamenti pritet të konstatojë në seancën e radhës, dorëheqjet e deputetëve opozitarë të cilët i dorëzuan vendimet e tyre, me shkrim, një ditë më parë. Pas konstatimit të dorëheqjeve, kreu i këtij institucioni Trajko Veljanoski duhet të njoftojë KSHZ-në si organin përgjegjës për ndjekjen e procedurave vijuese. KSHZ-ja do të njoftojë kandidatët e radhës që vijnë nga listat e opozitës. Procedura e njëjtë zbatohet deri në konsumimin e plotë të listës dhe në rast se asnjëri prej opozitarëve nuk e pranon kandidaturën, atëherë i hapet rruga mbajtjes së zgjedhjeve për plotësimin e vendeve vakante.
"Nëse asnjë nuk i pranon dhe pasi të zbrazet lista, atëherë KSHZ-ja e informon parlamentin dhe kryetari i parlamentit e çon procedurën e mëtutjeshme për shpallje të reja të zgjedhjeve. Në ato zgjedhje marrin pjesë të gjitha partitë politike, kandidatë të pavarur nëse eventualisht paraqiten dhe normal fitojnë mandate ato parti politike të cilat do të garojnë", deklaroi Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.
Sipas Jakupit deri në fund të gushtit do të kemi një pasqyrë më reale se kur mund të shpallen zgjedhjet për vendet vakante.
"Janë 6 njësi zgjedhore dhe në gjitha njësitë zgjedhore është laramane numri i deputetëve të cilët kanë dhënë dorëheqje dhe një çështje e këtillë do të shkojë në ndonjë njësi zgjedhore më shpejtë, në ndonjë tjetër do të shkoj shumë më ngadalë. Siç është për shembull Njësia zgjedhore numër 6 ku ka një kandidat ka dhënë dorëheqje dhe një kandidat ka dhënë dorëheqje nga një listë tjetër e partisë politike shqiptare. Pastaj të gjithë 19 të mbetur ne duhet tu ofrojmë kështu që procedura është më e gjatë. Unë mendoj se deri kah fundi i gushtit do të përfundoj e gjithë procedura", tha Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.
LSDM-ja opozitare bashke me partnerët e saj të koalicionit fitoi 34 mandate nga zgjedhjet e parakohshme, por 33 prej tyre deponuan dorëheqjet, me përjashtim të Roza Topuzova-Karevska që vjen nga PLD-ja. Të gjitha partitë thonë se janë në pritje të procedurave që do të shpallë KSHZ-ja, dhe pastaj do të dalin me qëndrimet e tyre mbi procesin e mundshëm zgjedhor të ardhshëm. Bedri Rexhallari