Gjirokaster- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaron se aksioni që po kryhet në jug të vendit është dëshmi se nuk do të tolerohet askush.
Ndërkohë monitorimi i hapësirës nga ajri për parcelat me kanabis ende nuk ka nisur edhe pse policia e shtetit njoftoi se do të niste prej kësaj të hene.
Duke folur nga Dropulli i Gjirokastrës, ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri tha se monitorimi do të nisë shumë shpejt por pa dhënë një datë konkrete
Ministri Tahiri nuk ka lënë pa komentuar ngjarjen në Kurvelesh për të cilën u shpreh se është dëshmi që policia është në krye të detyrës dhe se do të ndërhyjë me çdo kosto në zonat ku do të evidentohen zona të mbjella me bimë narkotike.
Ndërkohë Tahiri theksoi se në funksion luftës ndaj krimit dhe trafiqeve është hapja e postës së re të Dropullit, që u përgjigjet edhe shqetësimeve të vazhdueshme të komunitetit në zonat minoritare, për pasigurinë dhe rrezikun që sipas tyre, iu kanoset nga keqbërësit.
Në ceremoninë e përurimit të stacionit të ri të policisë merrnin pjesë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi, dhe deputetët Vangjel Tavo e Anastas Angjeli.
Për më shumë klikoni në http://www.oranews.tv/