Ministria e kulturës është në dijeni të faktit që Industria Muzikore Maqedonase nuk punon sipas dispozitave dhe ligjeve, duke iu shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë televizioneve private kombëtare. Pikërisht për punën e tillë të saj, 5 televizionet Alsat M, Kanal 5, Sitel, Telma dhe Alfa, i dërguan letra ankimi Ministrive të Kulturës, Financave dhe Shoqërisë Informatike. Nga Ministria e Kulturës theksuan se ekipet e tyre po kontrollojnë tashmë punën e këtij institucioni.
"Pasi të përfundojë kjo procedurë, për të gjitha njohuritë e konstatuara, për punën e Industrisë Maqedonase të Muzikës dhe për të gjitha masat e ndërmarra, opinioni do të informohet në ditët në vijim. Kur lënda e mospajtimit mes televizioneve kombëtare dhe IMM-së do t'i dërgohet Ministrisë së Kulturës, në atë moment do të përfshihet edhe Komisioni për ndërmjetësim në të drejtën e autorit dhe të drejtat e ngjashme që ka kompetenca për këtë çështje. Në rrjedhë e sipër është edhe miratimi i tarifave të reja që janë punuar nga organizatat për menaxhim kolektiv. Komisioni për ndërmjetësim në të drejtën e autorëve, dha mendimin e tij dhe pas formimit të qeverisë, qeveria do të diskutoj për to", deklaroi Anita Jovanovska, zëdhënëse e Ministrisë së kulturës.
Pesë televizionet private kombëtare, përmes një letre i kërkuan Ministrisë së Kulturës, Financave dhe Shoqërisë Informatike, që IMM-së t'i merret licenca e punës. Televizionet private reaguan edhe ndaj faktit që IMM-ja nuk ka vendosur në funksion softuerin që mat kohën e transmetimit të muzikës, në mënyrë që pagesat të bëhen vetëm sipas përllogaritjeve të tij. IMM-ja, në kundërshtim me ligjin dëshiron që televizionet të paguajnë në bazë të përqindjes së fitimit të përgjithshëm të vitit të kaluar. Po ashtu, ndonëse Kuvendi mori vendim që videogramet të mos i paguhen IMM-së, kjo shoqatë vazhdon të kërkojë para për to. Verica Pavllovska