Kriza në Ukrainë nuk do të ndikojë në vendimin e shteteve të NATO-s për pranimin e Maqedonisë në Aleancë. Kështu shprehet ambasadori i Ukrainës në Maqedoni Jurij Gonçaruk, duke përsëritur faktin e njohur prej vitesh se pengesa e vetme e Maqedonisë për anëtarësim në aleancë është kontestit i emrit me Greqinë.
"Kriza jonë nuk do të ndikojë, sepse Maqedonia duhet të negociojë me Greqinë. Ju e dini se NATO-ja nuk mund ti shkelë parimeve të saja, po ashtu edhe Bashkimi Evropian. Hyrja e Maqedonisë në NATO më shumë varet nga zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë. Këtë në fakt e vërtetoi edhe Sekretari I Përgjithshëm I NATO-s, Rasmusen gjatë vizitës së fundit në Maqedoni. Me sa e di, ai e përsëriti qëndrimin që ka NATO-ja për Maqedoninë se zgjidhja e kontestit me emrin, do të thotë ftesë për anëtarësim", deklaroi Jurij Gonçaruk, ambasador i Ukrainës në Maqedoni.
Por, Gonçaruk lë dyshime për situatën politike në vendin e tij. Sipas tij, ajo që po ndodhë në Ukrainë do të reflektohet në Ballkan dhe në tërë botën.
"Gjithçka në këtë botë është e lidhur mes veti. Asgjë nuk ndodhë vetvetiu dhe sigurisht që pasojat mbesin, e sidomos në rastin me Ukrainën. Është një shtet i madh evropian dhe njëri prej kontribuuesve për paqe në Evropë, prandaj nga ajo që ndodhë brenda vendit tonë, varet edhe klima politike në tërë Evropën. Sigurisht që edhe Ballkani edhe Maqedonia do ti ndjejnë ose tashmë janë duke i ndjerë, pasojat e asaj çfarë po ndodhë në Ukrainë. Pyetja tjetër është se në çfarë përmasa. Përkeqësimi i situatës në Ukrainë do ta përkeqësojë situatën në Evropë dhe ka mundësi që pasojat të jenë me përmasa edhe botërore", u shpreh Jurij Gonçaruk, ambasador i Ukrainës në Maqedoni.
Gonçaruk në intervistës për radion Evropa e Lirë gjithashtu foli edhe për ndikimet eventuale të krizës ukrainase në ekonominë vendase, dhe çështjen e ndërtimit të "Përroit Jugor" për furnizim me gaz. Ferikan Iljazi