Simpatizantët e Partisë Demokratike të Kosovës prej orëve të mbrëmjes së të dielës kanë festuar rezultatet e zgjedhjeve, ndërkohë që numërimi ende nuk kishte përfunduar. Për ta gjithcka flet për një fitore të kryeministrit Thaçi, i cili merr mandatin e tij të tretë në krye të qeverisë së Kosovës. Festa ka qenë e madhe, me fishekzjarrë, brohorima, ndërsa në kor mbizotëronin thirrjet "Thaçi-Thaçi".
Grupi i xhirimit të televizionit A1 REPORT ka përcjellë për teleshikuesit këtë atmosferë festive përmes raportimeve Live nga Prishtina me gazetaren Joniada Koçi. Megjithatë, edhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë ndjerë "fitore" të Isa Mustafës, edhe pse shumë të paktë në numër krahasuar me të PDK-së të cilët thuajse kishin pushtuar rrugët e qytetit.