TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar kërkesën e Ilir Karçinit për zëvendesimin e masës së sigurisë së "arrestit me burg". Biznesmeni fierak i hidrokarbureve akuzohet për krijimin e kushteve për realizimin e vrasjes së rivalit të tij në biznes, Piro Bare.
Gjykata ka rrëzuar kërkesën e avokatit Theodhori Sollaku, si dhe ka pranuar kërkesën e Prokurorit për zgjatjen e afatit të hetimeve për Karçinin. Prokurori ka paraqitur prova ku implikohet Karçini në porosinë për vrasjen e Bares. Ndër to 4 prova, e-mail, foto dhe video ku Karçini shihet në shoqërinë e vrasësit me pagesë Julian Sinanaj.
Ky i fundit mori përsipër vrasjen, që fatmirësisht u parandalua pasi policia e arrestoi gjatë pregatitjeve për krimin.
Motivi i pagesës prej 120 mijë euro për vrasjen e biznesmenit Bare sipas prokurorisë së Krimeve të Rënda ishin pengesat që ky i fundit i krijonte Karçinit për importin e hidorkarbureve në portin e Porto Romanos, të cilin Bare e kishte me konçension.
Sinanaj është i arrestuar si "killeri" grupit të tritolit, për faktin se ekzekutimet me pagesë i kryente kryesisht me eksploziv dhe në banesën ku qëndronte iu gjet një arsenal me armë dhe lëndë plasëse.
Për të njëjtin grup është i arrestuar edhe Ndriçim Gjokona, i cili është personi që në këmbim të mbrojtjes zbuloi funksionimin e grupit.
Në paraburgim ndodhet edhe Andon Mëhillaj, i cili bashkë me kushërinin Genis Mëhillaj, ishin kontraktorët e dy vrasësve Sinanaj dhe Gjokona në porositë që merrnin për eleminime fizike kundrejt pagesës.
Grupi akuzohen për dy vrasje të kryera në Vlorë dhe të paktën 3 tentativa vrasjeje, një prej të cilëve edhe atentati i mbetur në tentativë ndaj Besnik Dervishajt, në periudhën që ishte Prefekt i Vlorës.
Në janar të këtij viti një punonjës i gardës gjeti rastësisht lëndën eksplozive poshtë makinës së Prefektit, ndërsa automjeti po hynte për t'u parkuar në Kryeministri
Vetëm një ditë më parë edhe Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e kryer nga Ilir Karçini që kërkonte ndryshinin e masës së arrestit, duke e lënë atë në qeli deri në përfundim të procesit.