TIRANE - Kolumbiani i arrestuar disa ditë më parë në Rinas ndërron qëndrim dhe pranon përfshirjen në trafikun e kokainës të bllokuar në Mal të Zi. 200 mijë euro ishte shpërblimi që rrjeti i drogës i kishte premtuar kolumbianit Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana, për ngarkesën e lëndës narkotike që do të priste në Shqipëri. Faktet janë rrëfyer nga kolumbiani gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore. Cezar ka pranuar para autoritetet shqiptare të hetimit se kishte mbërritur në Shqipëri më 19 Maj dhe qëndroi për plot 23 ditë në 3 hotele të ndryshme, derisa u arrestua në Rinas më 9 Qershor në tentative për të lënë Shqipërinë.
"Qëllim i ardhjes në Shqipëri, ishte që të merrja një sasi parash për një ngarkesë droge që do të vinte me një kontenier me fund të dyfishtë", ka rrëfyer kolumbiani, cka korrespondon me 250 kilogramët e kokainës të kapur në kontenierin me banana të transportuar me anije nga Ekuadori.
Ai ka treguar para oficerëve të policisë gjyqësore të gjtihë skemën nga pritja e drogë, marrja e parave dhe kontaktin me një person që do të realizonte trasnferata bankare nga Shqipëria drejt Spanjës.
"Në Bogota jam kontaktuar nga dy persona, njërin prej tyre e njihja dhe kisha punuar për atë edhe herë të tjera për transportimin e parave. Ata më takuan, më thanë të vija në Shqipëri, ku do të merrja këstin e parë të një sasie droge që do të vinte këtu. Shuma që do merrja varionte nga 600 deri në 1 milion euro dhe për këtë punë do të fitoja 200 mijë euro nëse realizohej. Ata më dhanë një numër telefoni, që kur të mbërrija në Shqipëri t'i telefonoja nga hoteli. Pasi të merrja parat, do të njoftoja një person në Spanjë, që kishte njohje me disa drejtues bankash në Shqipëri dhe do të vinte këtu, ku nëpërmjet bankave do të kalonte parat te kolumbianët".