TIRANE - Qeveria e majtë ka bërë rritjen e dytë të pensioneve që kur mori në dorë qeverisjen e vendit. Ministri i Mirëqenies Sociale dha lajmin e mirë për pensionistët dhe veteranët e luftës. Ai njoftoi se për 599 364 pensionistë do të ketë një rritje me 1.4 % të pensionit mujor, ndërsa veteranët e luftës do të marrin jo pak por 15.6 përqind më shumë para çdo muaj.
Deklarata e ministrit Klosi pas mbledhjes se qeverise
Dëshiroj të komunikoj dy vendimet më të fundit të qeverisë shqiptare, që prekin dy grupe shumë të rëndësishme për shoqërinë tonë, pensionistët dhe veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Fale vendimit të sotëm, 599 364 pensionistë në Republikën e Shqipërisë do të përfitojnë rritje të pensionit të tyre mujor prej 1,4%, si pasojë e përllogaritjes vjetore që bën Ministria e Mirëqenies Sociale, mbështetur në të dhënat e INSTAT-it. Ky vendim merret për të mbrojtur të gjithë pensionistët, 453 511 që jetojnë në qytet, 145 800 që jetojnë në fshat dhe 32 800 pensione të parakohshme suplementare, në mënyrë që pensioni i tyre mujor të jetë i garantuar, pavarësisht luhatjeve normale të inflacionit.
Po ashtu, sot është marrë një tjetër vendim i rëndësishëm në mbledhjen e qeverisë, që prek në mënyrë të drejtpërdrejtë 6600 veteranë të Luftës Antifashistë Nacionalçlirimtare. Që prej vitit 2007, pra që prej 8 viteve më parë, pavarësisht luhatjeve të inflacionit, pensioni i veteranëve të luftës ka mbetur i pandryshuar, çka në fakt ka rezultuar në një ulje reale të pensionit të tyre. Sot, qeveria shqiptare ka vendosur të çojë në vend dinjitetin e atyre që luftuan për çlirimin e Shqipërisë, duke i rritur pensionet e 6600 veteranëve të luftës me 15.6%.