A1 Report - Nuk realizohen të ardhurat, në buxhet mungojnë 86 milionë $

Report TV 2015-08-22

Views 0

TIRANE- Në gjashtë muajt e parë të vitit Qeveria ka arkëtuar 86 milionë dollarë me pak të ardhura nga sa planifikoi me implementimin e paketës së re fiskale në fund të 2014. Nga treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar për periudhën janar-qershor 2015, të sapopublikuar nga Ministria e Financave, rezulton se të ardhurat janë 86 miliardë lekë, ose 4.5% më të ulëta se plani. Sipas treguesve, të ardhurat nga tatimet e doganat janë përgjegjëset kryesore për këtë mosrealizim, duke qenë se të dyja kanë derdhur në buxhet 13.4 miliardë lekë (afërsisht 134 milionë dollarë) më pak se plani për gjashtë muajt e parë të vitit.

Zërat në rënie
Rënie të dukshme ka shënuar gjithashtu edhe Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar, të ardhurat nga i cili rezultojnë 20 milionë dollarë (-3.3) krahasuar me planifikimin fillestar. Ndërkohë që më drastike është rënia te një tjetër taksë me peshë në arkën e shtetit: akcizat, nga të cilat janë arkëtuar 56 milionë dollarë më pak, ose -24.6% në rënie krahasuar me planifikimin. Të njëjtin fat kanë pësuar edhe të arkëtimet nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale, i cili rezulton -22.4% më i ulët se plani, ndërkohë që të ardhurat e munguara në buxhet prej tij janë afërsisht 39 milionë dollarë.

Performancë negative ka shënuar edhe zëri Taksa Nacionale dhe të Tjera, të cilat kanë shënuar një rënie prej -14.8%, duke sjellë 26 milionë dollarë më pak nga planifikimi në arkën e shtetit. Ndërkohë që në këtë vit zgjedhor, rënie kanë shënuar edhe thuajse të gjithë treguesit e të ardhurave nga taksat vendore. Të ardhurat nga pushteti lokal janë në total -14.8%, ose 9 milionë dollarë më pak se planifikimi. Taksat lokale kanë sjellë në buxhet rreth 9 milionë dollarë më pak se plani, ndërkohë që me bilanc negativ prej -4.3% është edhe taksa mbi biznesin e vogël.

Share This Video


Download

  
Report form