Ashtu siç edhe ishte parashikuar nga meteorologët, vendi ynë është përfshirë nga stuhi të fuqishme dhe reshje të vazhdueshme shiu mëngjesin e sotëm. Kryeqyteti u mbulua nga një valë e dendur mjegulle orët e para të mëngjesit, ndërsa reshjet kanë qenë normale, por parashikohet përkeqësim i situatës gjatë pasdites.
Ndryshe raportohet situata në zonat rurale dhe në qytetet e tjera të vendit. Në Berat shirat e dendur kanë shkaktuar përmbytje, probleme në trafik dhe vështirësi për këmbësorët.
Në zonat bregdetare situata paraqitet edhe më e rënduar. Në qytetin e Sarandës, shirat e dendur të shoqëruar me erën e fortë kanë shkatuar një sërë problemesh. Veç përmbytjeve dhe vështirësive të mëdha në qarkullim si për mjetet ashtu edhe për njerëzit, në Sarandë raportohet të jetë rrëzuar vinçi në Portin e Mallrave në Limion.
Reshjet e mëdha kanë vazhduar prej disa orësh dhe thuhet të kenë vërshuar brenda ambienteve të dhjetra bizneseve dhe shtëpive, ndërsa ka patur edhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Situata e rënduar në disa qytete paraqet rrezikshmëri të lartë dhe këshillohet të minimizohen lëvizjet në rrugë, derisa situata të qetësohet.