Kryebashkiaku Veliaj në një takim me nxënësit e studentët ekselentë u shpreh se Bashkia e Tiranës do të rikthejë Rinfest, i cili nuk bëhet që nga viti 2010, festivali rinor i të gjithë gjimnazeve të kryeqytetit. Në fjalën e tij para nxënësve Veliaj theksoi edhe krijimin e një Këshilli Rinor Bashkiak i cili do të përbëhet nga 61 anëtarë nga gjimnazet dhe Universitetet si dhe do të rikthehen bursat për më të mirët
?Këshilli Rinor i Tiranës do të jetë një pasqyrë rinore e Këshillit Bashkiak të Tiranës, i cili do të ketë 61 anëtarë nga gjimnazet, universitetet, organizatat jo qeveritare?, sqaroi Veliaj. Sipas tij, secila shkollë do të ketë të paktën një anëtar, që do të jetë kryetari i senatit të shkollës, për të garantuar që çdo gjimnaz i Tiranës të ketë një vend në Këshillin Bashkiak të të rinjve të qytetit.
?Nuk mund ta fillonim vitin e ri shkollor pa vlerësuar 100 nxënësit më të mirë të Tiranës. Aseti numër një në qytetin tonë janë njerëzit. Por, midis 1 milion njerëzve që ka sot Tirana, aseti më i vyer janë nxënësit e shkëlqyer të saj?, tha Veliaj. Ai bëri të ditur se Bashkia e Tiranës do të ndërmarrë një sërë nismash që u vijnë në ndihmë të rinjve të qytetit, në veçanti atyre që janë më të mirët në mësime. Një prej nismave që kryebashkiaku Veliaj njoftoi ishte edhe rikthimi i bursave për të gjithë nxënësit e shkëlqyer.
?Në buxhetin e ri të bashkisë do të propozojmë rikthimin e bursave për studentët më të mirë. Jo se ato para e nxjerrin një familje nga varfëria, jo se mjaftojnë për të plotësuar çdo dëshirë, por sepse është një mënyrë për të thënë që edhe taksapaguesit e Tiranës japin diçka për më të mirët e qytetit?, u shpreh Veliaj, duke prezantuar edhe një nismë tjetër të bashkisë, siç është promovimi në publik i nxënësve më të mirë të shkollave të Tiranës, si një mënyrë për të treguar fytyrat e atyre që punojnë fort gjatë gjithë vitit shkollor.