Ambasadorja e BE nga Korça e ka konsideruar reformën në drejtësi si kushtin kryesor për integrimin e Shqipërisë. Sipas saj ky është një moment kritik për Shqipërinë pasi kjo është një reformë e padiskutueshme .
?Ju e dini që kemi tashmë ato që quhen 5 prioritet kyçe, tre prej tyre kanë të bëjnë me sundimin e ligjit apo shtetit të së drejtës dhe këto janë reforma në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të thoja që ky është një moment vërtet kritik për Shqipërinë, madje do të thoja një moment historik për vendin. Në rast se kjo reformë do të bëhet mirë me ndërhyrje të thella dhe të përqendruara në vendet e duhura të këtij sistemi i cili është e qartë që nuk po funksionon si duhet. Në rast se do të jemi të sukseshëm kjo do të jetë shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe ajo do të mund të ecë përpara me hapa shumë të shpejtë. Kjo është një reformë thelbësore dhe e panegociueshme. Pra ajo duhet të bëhet", shprehet Vlahutin.
Vlahutin ka vlerësuar faktin se opozita u kthye në komisionin parlamentar për reformën në drejtësi pasi sipas saj interesat kombëtare janë mbi ato partiake.
?Ne në fakt të gjithë në komunitetin ndërkombëtar po përpiqemi shumë që kur flasim me partitë politke t?u shpjegojmë atyre që jeta politike është një çështje, por ama ka edhe disa interesa kombëtare të cilat duhet të vihen mbi çdo interes tjeter partiak dhe më i rëndësishmi i këtyre është integrimi i Shqipërisë në BE. Jam vërtet e kënaqur që opozita u rikthye në komisionin parlamentar për sa i përket reformës në drejtësi. Po ashtu jemi të kenqaur që po bëhen ato ndryshime apo diskutime që kanë të bëjnë me ligjin apo integritetin e personave që duan të jenë të përfshirë në jetën publike?, thotë ambasadorja e BE-së.
Ndërsa sa i përket progres-raportit për Shqipërinë, ajo thotë se ende nuk është përfunduar.
?Mund të themi se ai do të japë një panoramë të të gjithë sektorëve në Shqipëri. Në këtë progress-raport do të shpjegohet se çfarë ecurie ka pasur Shqipëria vitin e fundit si dhe do të nxirren në pah të gjitha ato fusha apo elemente të ndryshëm për të cilat duhet punuar më shumë në të ardhmen?, ka përfunduar ambasadorja e BE-së gjatë një vizite ne Korçë.