Rëndohet situata nga përmbytjet shënohet viktima e parë në Vlorë

Report TV 2015-10-11

Views 2

Reshjet intensive të shiut të shoqëruara me stuhi ere kanë shkaktuar përmbytje të mëdha kryesisht në jug të vendit, ndërsa është shënuar edhe viktima e parë në qytetin e Vlorës. Situata më problematike paraqitet në Vlorë, Fier e Skrapar. Segmentet më të vështira aktualisht janë Vlorë-Fushë- Dukat, Ersekë-Korçë, Këlcyrë-Ballaban. Aksi Banjë-Drizë është bllokuar për faktin e rënies së dherave në rrugë, dhe është bërë devijimi nga Kaciveli.

Si pasojë e shiut të rrëmbyeshëm është bllokuar nga rrëshqitja e dherave aksi Radhimë-Orikum. Masive të mëdha guri kanë rënë mbi rrugë, duke shkaktuar bllokimin e saj.
Po ashtu situata e rëndë ka prekur edhe qytetin e Fierit, ku lumi Gjanica ka dalë nga shtrati, duke përmbytur banesa, lokale, dyqane të ndërtuara afër tij.

Shirat e rrëmbyeshëm i morën jetën Luan Qarrit 50 vjeç i cili punonte roje në një subjekt tregtar në zonën e Radhimës. 50 vjeçari teksa shkonte në punë është marrë nga rrjedha e lumit dhe ka përfunduar në kanal, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Trupi i pajetë është gjetur nga efektivët e Delta Forcë në bregdetin e Radhimës dhe është në morgun e spitalit të Vlorës. Reshjet intensive të shiut që përfshinë Vlorën gjatë mbrëmjes së të shtunës kanë sjellë përmbytjen e lagjeve kryesore të qytetit bregdetar.

Uji ka vërshuar në katet e para të banesave dhe njësive tregtare, ndërsa ka ndërprerje të energjisë në dsia zona të qytetit. Specialistët e OSHEE-së konfirmojnë për shqiptarja.com se për shkak të mungesës së energjisë elektrike gjatë natës, hidrovori nuk ka funksionuar duke sjellë edhe përmbytjen në qytet.

Premtimet e pushtetit vendor për të shmangur përmbytjet në qytet mbetën vetëm në letër, pasi rrjeti i kanalizimeve është terësisht jo funksional duke ndikuar në përkeqësimin e situatës.

Kritike është situata në lagjet "24 Maji", "Pavarësia" dhe "15 Tetori", teksa nga efektivët e policisë është bërë evakuimi nga banesat i 8 familjeve me rreth 25 anetarë, 3 prej të cilëve po marrin mjekim në spitalin rajonal të Vlorës.

Qarkullimi i mjeteve në këto lagje bëhet më vështiresi, ndërsa I këmbësoreve është thuajse e pamundur. Më kritike situata paraqitet në fshatra, aktualisht renia e një masivi gurësh ka bllokuar në disa segmente aksin rrugor Radhimë-Orikum.

Pamjet e Report TV tregojnë qartë edhe bllokimin e rrugës, ndërsa po punohet për zhbllokimin e saj. Në Radhimë ka shkuar edhe kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli, i cili pohoi se po punohet për zgjidhjen e problematikës. "Interesimi është i të gjithëve, i qytetarëve, i bizneseve që po ndihmojnë. Interesimi i qeverisë absolutisht. Të gjithë jemi në terren për të parë gjendjen, për ta vlerësuar dhe për të dhënë maksimumi", është shprehur Leli.

Ndërkohë edhe fshatra të tjerë të Vlorës ka bllokime rrugësh kryesisht nga rrëshqitja e dherave, sakaq raportohet edhe ngordhja e disa krerëve bagëti të imta në disa fshatra të Vlorës. Shumë lagje të qytetit dhe fshatra të Vlorës aktualisht janë pa anergji elektrike.

Share This Video


Download

  
Report form